Përfaqësuesi i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer, i cili po merr pjesë në punimet e Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni, ka theksuar se qëllimi i tij është t’i kthejë Kosovën dhe Serbinë “në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të sigurojë një marrëveshje”.
Në një intervistë për mediet serbe ai citohet të ketë thënë se Shtetet e Bashkuara do të donin të shihnin “njohjen e ndërsjellë si pikën qendrore të marrëveshjes”, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit të kaluar kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.
Zoti Palmer thotë se angazhimi i Serbisë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës nxiti vendosjen e tarifave dhe ato u shndërruan në pengesë për përparimin e bisedimeve, meqë Beogradi i sheh si arsye që të mos kthehet në tryezën e bisedimeve.
“Kjo nuk ndihmon. Lobimi tek vendet e vogla që të tërheqin njohjet, mbase është një sukses taktik i Serbisë, por i kushton Beogradit në ruajtjen e interesit të tij për arritjen e një marrëveshjeje për normalizim. Shpresoj që të dyja palët do të kuptojnë interesin e tyre dhe do të arrijnë një marrëveshje”, citohet të ketë thënë ai.
Normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet që të integrohen në Bashkimin Evropian, një aspiratë e rajonit të Ballkanit Perëndimor që përballet edhe me lodhjen e vendeve anëtare të bllokut nga zgjerimi.
Të hënën shefja në largim e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini tha se është në interesin e vet bllokut që të përfshijë vendet e Ballkanit.
“Jam e bindur që nëse nuk e bëjmë këtë, do të pendohemi”, tha zonja Mogherini e cila ka ndërmjetësuar bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Vazhdimi i këtyre bisedimeve mund të pritet pas zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, që mbahen më 6 tetor. Diplomatët shpresojnë që një qeveri e re të formohet shpejt pas këtyre zgjedhjeve dhe të rihapin bisedimet para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.