Irani refuzon të mbajë bisedime dypalëshe me Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, vendi është shprehur i gatshëm, që në rast të heqjes së sanksioneve, të angazhohet në bisedime shumëpalëshe, që do të përfshinin nënshkruesit e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Duke folur në një seancë të hapur të parlamentit më 3 shtator, presidenti iranian, Hassan Rohani, gjithashtu tha që Irani ishte i gatshëm të zvogëlojë më tej përmbushjen e obligimeve nga marrëveshja e vitit 2015, nëse negociatat aktuale nuk arrijnë të japin ndonjë rezultat.

“Asnjë vendim nuk është marrë ndonjëherë për të zhvilluar bisedime me SHBA-në. Ka pasur shumë oferta për bisedime, por përgjigja jonë do të jetë gjithmonë negative”, tha Rohani.

Ai shtoi se nëse Shtetet e Bashkuara heqin sanksionet, “do të ishte akoma e mundur të merrte pjesë bisedime” midis Teheranit, dhe pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është shprehur i gatshëm të takojë liderët iranianë për bisedime pavarësisht “presionit maksimal” të Uashingtonit mbi Teheranin.

Udhëheqësit iranianë thonë se ata mbeten të përkushtuar në marrëveshje, por kërkojnë që palët e evropiane në marrëveshje – Britania, Franca dhe Gjermania – të marrin masa për të ndihmuar vendin të anashkalojë sanksionet e SHBA-së, dhe të përfitojë ekonomikisht.

Në Paris, diplomatët iranianë janë duke zhvilluar bisedime me zyrtarët francezë, në përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen.

Ndërkohë, Teherani ka filluar të tejkalojë kufizimet e vendosura si pjesë e marrëveshjes.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, ka thënë se Irani do t’i kthehet përmbushjes së plotë të marrëveshjes, atëherë kur kombet evropiane përmbushin angazhimet e tyre.

Zarif i bëri deklaratat në Moskë, më 2 shtator, pas bisedimeve me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, i cili mirëpriti një iniciativë franceze për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore.

Shtetet e Bashkuara në vitin 2018 u larguan nga marrëveshja si dhe rivendosën sanksionet ndaj Iranit.

Presidenti Trump ka thënë se marrëveshja ishte e negociuar keq, dhe se ajo i lejon këtij vendi të posedojë armë bërthamore.

Uashingtoni e sheh Iranin si sponsorizuesin kryesor të terrorizmit në rajon.

Zyrtarët e lartë amerikanë kanë thënë se SHBA-ja nuk do të pranojë kurrë që Irani të posedojë armë bërthamore.