Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shpalli 6 tetorin, ditë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Në vendim thuhet e “duke u bazuar nё pёrgjegjёsitё kushtetuese dhe ligjore, presidenti Thaçi ka marrё vendim që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës sё Kosovës tё mbahen mё 06 tetor 2019”, ndërsa “udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i ndërmerr tё gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës sё Kosovës, nё përputhje me kёtё vendim dhe legjislacionin nё fuqi”.
Presidenti Thaçi, me herët gjatë ditës dekretoi shpërndarjen e parlamentit të Kosovës, pak ditë pasi deputetët votuan për një gjë të tillë.
Vendimi për shpërndarjen e parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasoi dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj më 19 korrik pasi u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.
Ende pa u shpallur zgjedhjet e reja, partitë ishin përfshirë në një fushatë për ngritjen e koalicioneve të reja parazgjedhore.
Tashmë janë krijuar dy koalicione të tilla; njëri ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate dhe tjetri ndërmjet Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të debatojë të hënën mes tjerash edhe mundësinë e një koalicioni parazgjedhor me lëvizjen Vetëvendosje, e cila është shprehur në favor të tij.
Këto zgjedhje shihen të rëndësishme për Kosovën për shkak të sfidave me të cilat pritet të përballet qeveria e re, posaçërisht me çështjen e tarifave ndaj mallrave serbe dhe ripërtëritjen e bisedimeve te pezulluara me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që është edhe kusht për integrimet evropiane të tyre.