Klima e butë dhe kroçerat plot turistë po e ndryshojnë rajonin e Spitzenbergenit në Arktik. Akullnajat po shkrihen. Cila është e ardhmja e rajoneve më veriore të botës?

Turistët mësyjnë Longyearbyen, qyteti më i madh në Spitzbergen, Norvegji. Ata duan pak atmosferë aventure për albumin fotografik dhe ndonjë suvenir nga Arktiku. Por Hilde Røsvik, banore dhe drejtuese e gazetës lokale nuk është shumë e entuziazmuar për ardhjen e tyre. Kaq shumë turistë- nuk durohen dot më, thotë ajo. “Njerëzit këtu nervozohen, kur turistët u afrihen shtëpive dhe shikojnë nga dritarja, apo kur bëjnë foto. Duhet të kesh një lloj respekti. Ne nuk jemi atraksione turistike, ne jetojmë këtu.”

Por edhe shumë të rreptë me turistët që kanë fuqi blerëse banorët nuk duan të jenë, sepse pushimet në Arktik – pritet të jenë biznesi i së ardhmes. Eva Britt Kornfeldt nga Zyra e Turizmit në Spitzenbergen është optimiste. „Vërtet që në këtë drejtim ka shanse zhvillimi. Sidomos turizmi me kroçerat, këtë ne duam ta zgjerojmë, më së miri gjithë vitin. Duam që anijet të qëndrojnë më gjatë kur të vijnë.”

Ndryshimet e klimës

Në Longyearbyen-it i nxirrej qymyrgur, tani kjo epokë gati po merr fund. Njerëzit e ndjejnë se diçka po ndryshon. Efektet e klimës prekin edhe këtë rajon. Në vend të borës tani bie më shpesh shi, toka e thith ujin si sfungjer. Dhe vjen një moment e dherat rrëshqasin nga shpatet e pjerrëta, si në periferinë e qytetit, ku në vitin 2015 shtëpitë u mbuluan nga një ortek dheu, dy vetë humbën jetën.

Pas ortekut të dheut në Longyearbyen, dhjetor 2015

Edhe Gjermania Christiane Hübner jetonte me familjen e saj shumë pranë bregut, por duhej të largohej që aty. Në dimër gati nuk gjen më akull në fjord dhe era i sjell valët pa pengesë në breg. Christiane Hübner është e shqetësuar për pasojat e ndryshimit të klimës. „Fjordi ka kohë që nuk ka ngrirë më plotësisht. Dikur ne ngisnim scooter-at e borës mbi akull deri në anën tjetër. Kjo nuk bëhet dot më, dhe e shikoni, akullnajat këtu janë reduktuar ndjeshëm.”

Studiuesja Pernille Bronken Eidesen shpjegon se çfarë ndryshimesh presin shkencëtarët në zonën e Arktikut. “Mendojmë, se llojet që ne i njohim nga zonat e ngrohta do të shfaqen gjithnjë e më shumë në këtë zonë, e do t’i spostojnë bimët tipike që rriten në Arktik. Ato vetë nuk mundet të mbijnë dot diku tjetër.”

Se sa shpejt do ta ndryshojë ngrohja globale ekosistemin e Arktikut, këtë nuk mund ta thotë me saktësi asnjë studiues. Edhe mbretëria akullnajore e dimrit, me të cilën njerëzit duan të tërheqin turistët në Spitzenbergen dikur do të shkrihet.

Robert Johansen që prodhon birrë për lokalet dhe hotelet në Longyearbyen, në „Svalbard Bryggerie”,fabrikën më veriore të botës, as nuk do të mendojë për këtë. Ai ka nevojë për turistët. Për të debati për ndryshimin e klimës është i ekzagjeruar, në fund gjithmonë gjendet një zgjidhje, sipas tij. „Gati 90% e gjithë debatit është histeri. Gjithmonë ky kërcënimi “jemi para greminës” – kjo nuk ka kuptim, – ne njerëzit dihet, jemi luftëtarë të mbijetesës. Duhet të përpiqemi sigurisht, por do t’ia dalim mbanë”, thotë Johansen.

Longyearbyen

Shanset për Spitzenbergun

Por çfarë do të mbetet një ditë nga Spitzenbergen-i i dikurshëm? Si do të ndryshojë jeta në ishull? Hilde Røsvik, banore dhe gazetare, është e mendimit, se Longyearbyben ka shanse të tjera edhe në të ardhmen. „Shkenca – për shembull. Ajo është një shans për ne. Ketu mund të eksperimentosh shumë mirë. Longyearbyen është një vend i vogël por ka shumë mundësi, edhe jashtë turizmit të kroçerave në këtë qytet..”

Për turistët Spitzbergen mbetet një kujtim i shkurtër, por në ishull njerëzit vazhdojnë të pyesin – cila rrugë do t’i nxjerrë ata nga e shkuara e çfarë sprovash përgatit për ta e ardhmja?

 

Jan Liebold/DW