Protestat pro-demokracisë në Hong Kong që filluan në qershor janë përhapur tani në mbarë botën. Demonstrata paralele u zhvillua të dielën në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Australi, Britani, Francë dhe vende të tjera. Por, siç raporton korrespondentja e Zërit të Amerikës Zlatica Hoke, demonstruesit në disa vende u përballën me mitingje pro-Pekinit.
Mbështetësit e protestës 11-javore të Hong Kongut dolën në disa qytete të mëdha amerikane, përfshirë Nju Jorkun, Bostonin dhe Uashingtonin për të demonstruar kundër kërcënimit nga Kina dhe presionit nga policia lokale.
“Pres që qeveria të bëjë diçka. Ata duhet të ndalin plotësisht çështjen e ekstradimit dhe këtë duhet ta kishin bërë deri tani. Por nuk kanë bërë asgjë ende”, thotë Vivian nga Hong Kongu që banon në Virxhinia.
Protestuesit në Hong Kong janë duke kërkuar shfuqizimin e një legjislacioni që do të lejonte ekstradimin e kriminelëve të dyshuar për gjykim në territorin e Kinës dhe reformimin e qeverisë lokale. Organizatorët e protestës thonë se nuk do të heqin dorë derisa të përmbushen kërkesat e tyre.
“Hong Kong është i njohur si ‘Perla e Orientit’. Shumë njerëz bëjnë biznes këtu, bota mendon se Hong Kongu është i sigurt. Por kur Pekini të vendosë trupat, gjithçka do të marr fund, Hong Kongu do të jetë shkatërruar plotësisht. Nuk është keq vetëm për Hong Kongun, por është keq edhe për Kinën”, thotë Bonnie Leung, me Frondin për të Drejtat Civile Humanitare në Hong Kong.
Disa banorë janë lodhur nga trazirat dhe vënë në pikëpyetje dhunën që ndodhi në përleshjet e fundit mes policisë dhe protestuesve.
“Dua thjesht të pyes përse këta njerëz që janë protestues të dhunshëm, edhe ata që janë protestues paqësorë – përse kanë frikë nga Kina? Unë kam jetuar pjesën më të madhe të jetës sime në Kinë, qindra mijëra perendimorë jetojnë në Kinë. Është një vend paqësor. Pra përse kanë frikë nga Kina? Përse?”, pyet Peter Bently, pensionist nga Britania.
Demonstrata kundër protestave u zhvilluan gjithashtu në Sidnej, Paris, Londër, Nju Jork dhe vende të tjera me popullsi të konsiderueshme kineze.
Hong Kongu ka qenë skena e disa protestave masive që nga dorëzimi i saj nga Britania tek qeveria kineze në 1997. Protestat janë përgjithësisht paqësore, por kanë arritur pak, dhe disa banorë po zhgënjehen gjithnjë e më shumë me qeverinë lokale.
“Kemi provuar shumë herë metoda paqësore. Kishte 1 milion njerëz në 9 qershor dhe 2 milion njerëz më 16 qershor, e kemi provuar shumë herë. Nga qershori deri në gusht, tashmë ka pasur njëzet mitingje”, thotë protestuesi Ray Cheng.
Kina kontinentale e qeverisur nga komunistët ka përdorur imazhe të dhunës në protestë, në fushatën e saj për të kthyer opinionin publik kundër protestuesve. Megjithë përmasat dhe kohëzgjatjen, lëvizja deri më tani ka fituar lëshime të pakta nga Pekini dhe drejtuesit lokalë.