Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, nënshkruan të hënën një marrëveshje për krijimin e një koalicioni parazgjedhor.

Kjo është marrëveshja e parë e tillë e arritur në Kosovë ku tashmë partitë politike po bëhen gati për zgjedhjet e reja, ndonëse ende nuk është marrë vendimi për shpalljen e tyre.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryetari i Partisë Socialdemokrate, shpend Ahmeti tha se këto dy parti do të garojnë së bashku në zgjedhjet e ardhshme. “Ky është një bashkëpunim edhe politik edhe zgjedhor, duke marrë parasysh disa vija të bashkëpunimit që i kemi pasur edhe në vitet e kaluara, por që janë zgjeruar në fusha të tjera, me të cilat do të garojmë bashkë me një program të përbashkët qeverisës”, tha ai.

“Sot është përmbyllja e një pune të përbashkët, jo të lehtë. Kjo punë ka pasur për bazë qëllimet programore të PSD-së dhe AAK-së dhe kemi arritur që të bashkojmë ekspertizat më të mira që kemi në parti”, tha ndërkaq kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Të dy ata thanë se janë të hapur për zgjerimin e koalicionit parazgjedhor duke vënë theksin tek Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re, të cilat ishin pjesë e koalicionit të deritashëm qeverisës.

Bisedime rreth koalicioneve të mundshme janë duke u zhvilluar në shkallë të gjerë në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje po kërkon një koalicion të tillë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila ndonëse ka theksuar se dëshiron të shkojë e vetme në zgjedhje, po zhvillon takime me partitë politike për të diskutuar rrjedhën e zgjedhjeve të reja.

Tash për tash të gjitha këto parti kanë hedhur poshtë mundësinë që të lidhen në ndonjë koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës.

Parlamenti i Kosovës, pritet të mblidhet me 22 gusht për të votuar shpërndarjen e tij dhe nëse kjo ndodhë atëherë zgjedhjet e reja duhet të mbahen më së voni 45 ditë nga ai vendim.

Vendi ndodhet para zgjedhjeve të reja pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj më 19 korrik pasi u thirr për t’u intervistuar në Prokurorinë e Posaçme për krime lufte në Hagë.

Please follow and like us: