Seria e këtyre letrave publike është një bisedë e hapur me përfaqësuesit diplomatik në Kosovë. Me përfaqësuesit e vendeve mike, me ata që sponsorizuan lirinë tonë, me ata që shpenzuan shumë për Kosovën. Për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Me përfaqësuesit e vendeve aleate pa të cilët nuk erdhi liria, nuk ndërtohet e tashmja dhe as që mund të mendohet e ardhmja e Kosovës. As si shtet i stabilizuar për vete, as partneritet në BE, e aq më pak të përafrohet Kosova drejt konceptit amerikan dhe të integrohet edhe në strukturat Veri-Atlantike.

Debati publik zakonisht bëhet kur mungon takimi miqësor, e takimet miqësore, intelektuale dhe profesionale nuk mund të realizohen pa e njohur të paktën ndonjë punonjës nga ambasadat. O Zot edhe me miqtë tanë u bë puna me gjetur lidhje për të realizuar takime, e për takime të niveleve intelektuale hë për hë të mos shpresojmë. D.m.th. pa pasur lidhje e njohje nuk mundesh kurrë të kesh qasje me asnjë nga zyrtarët periferik, se sa për tu takuar me ambasadorët as që mund të bëhet fjalë. Ambasadoret janë të zënë me vizitat e tyre edhe në shtëpitë e zyrtarëve komunist siç ishte rasti me vizitën e Ambasadorit Amerikan në Kosovë, në shtëpinë e Isa Mustafës e cila ka ndodhur më 31 dhjetor 2018[1]. Vetëm titujt e lajmeve ditore e patën degraduar politikën pragmatike e antikomuniste të SHBA-ve, siç janë: “Ambasadori amerikan i shkon në shtëpi Isa Mustafës”,(Bota Sot, 31.12.2018)[2], “Ambasadori amerikan takohet me Mustafën në shtëpinë e tij”, (Zëri, 31.12.2018)[3], “AMBASADORI AMERIKAN I SHKON NË SHTËPI ISA MUSTAFËS”, (Insajderi, 31.12.2018)[4], “Ambasadori amerikan i shkon për vizitë në shtëpi Isa Mustafës”, (Veriu.info, 31.12.2018)[5], “Ambasadori amerikan i shkon për vizitë në shtëpi Isa Mustafës”, (Ora.info, 31.12.2018)[6] etj. Pra që nga koha e Vladimir Iliç Leninit diku në vitin 1917, e gjerë më sot, administrata amerikane nuk ka bërë një degradim të tillë përpara një komunisti të rafinuar, i cili arriti edhe politikën pragmatike e antikomuniste të SHBA-ve ta zbres në shtëpinë e tij?!

Elita intelektuale le të shkruan sa të dëshirojë dhe çfarë të dëshirojë, le të përmend titujt akademik e veprimtarinë krijuese, dhe se ia paskan qëlluar këtij e atij rasti, kjo nuk do të jetë e mjaftueshme, sepse kemi droje as që dinë zyrtarët e këtyre vendeve, pasi mjaftuaka dikush nga stafi teknik, përkthyes e këshilltar shqipfolës, në mënyrën allaballkanike t’ua refuzojë kërkesën, bile pa u konsultuar me askënd nga zyrtarët përkatës. Nuk mjafton pastërtia e askujt, as mosimplikimi në afera kriminale dhe korruptive, madje, madje edhe nëse keni jetuar që prej tre-katër dekadash jashtë Kosovës, dhe do të sillni programe për ti propozuar për zgjidhje të shpejt e fatlume, as kjo nuk do t’ju mjaftojë, për të takuar ndonjë zyrtar të ambasadave?! Nuk e di si përpilohen listat, por e di se nëse iu shkruani E. Male dhe letra zyrtare rekomande, (të tipit klasik përmes postës), nuk mund të realizoni takime?! S’ka lidhje nëse jeni nga ata qytetar që kurrë nuk jeni implikuar në krim e kriminalitet, pasi si duket edhe këta zyrtarë kanë pi ujë Ballkani dhe janë bërë më burokrat se zyrtarët tanë shtetërore e politik të cilët popullin e kanë mall për konsum politik dhe asgjë më shumë. Aq më pak nëse jeni intelektual por i takoni ndonjë familje të rëndomtë shqiptare, e cila që prej se ekziston historia e Kosovës s’ka bërë faj dhe askush nga familjaret e tyre s’kanë marrë rrogë shteti brenda territorit administrativ të Kosovës. Pra, as para Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, dhe as pas Luftës së fundit.

Ambasadorët dhe staf diplomatik që punon në Kosovë, duhet të beson se në Kosovë ka intelektual që si shtetas të Kosovës i kanë shterur këto përpjekje për tu takuar e për t’ua shpjeguar sy më sy të gjitha deformimet që kanë ndodhur dhe si kanë ndodhur. Në Kosovë kemi intelektual të cilët në përpjekjet e tyre për të reformuar institucione të caktuara, janë ra viktimë e bandave, të tjerë janë detyruar ta lëshojnë Kosovën, e një kategori tjetër janë terrorizuar nga deklaratat e udhëheqësve shtetëror të cilët i lëshonin edhe nga Washingtoni, (sa ishin zyrtarisht të ftuar atje). Edhe nëse atje janë qortuar e kritikuar, përsëri nga Washingtoni disa sish i tregonin muskujt e tyre kundrejt intelektualëve duke lënë përshtypjen se ata paskan mbështetjen zyrtare të Amerikës, por në asnjë mënyrë intelektuali dhe shkencëtari i Kosovës, i cili ose të cilët kanë guxim për të folur e për të shkruar. Pa asnjë dyshim, problemet e brendshme në Kosovës janë të zgjidhshme, vetëm se duhet vullneti i Amerikës dhe aleatëve të saj nga vendet e BE-së!…

Gjendja nuk është e mirë, këtë e vlerësojnë përditë të gjithë miqtë tanë, pra edhe vet ambasadorët dhe stafi diplomatik, si dhe aleatët e Kosovës të cilët sikur po vuajnë nga një sentimentalizëm i tepruar karshi elitës politike e kriminale në Kosovë, por shteti nuk po funksionon dhe demokracia po çalon, prandaj edhe miqtë tanë, edhe aleatët e Kosovës dhe i gjithë stafi diplomatik në Kosovë janë pjesë e fajit, pjesë e së keqes dhe së këndejmi bartin jo vetëm fajin, por edhe përgjegjësinë për dështimin e demokracisë dhe shtetit juridik.

E përsërisë, se nëse askush nga shtresa intelektuale nuk paska bërë përpjekje për tua shpjeguar miqve arsyet pse kemi rënë deri këtu, me theks të veçantë si mund të dilet nga kjo situatë, ata nuk duhet të merakosen, sepse zyrtarët diplomatik vetëm do të talleshin me ta. Për vete si autor, si njohës i zhvillimeve politike në Kosovë, e kam kryer me korrektësi dhe përgjegjësi morale këtë mision karshi intelektualëve dhe karshi atdheut. Me një fjalë të gjithë intelektualët që jetojnë e punojnë në Kosovë e që janë të kushtëzuar me vendet e tyre të punës, dhe së këndejmi edhe me fatin e familjeve të tyre, të mos llogarisin në përkrahjen dhe mbështetjen e Bashkësisë Ndërkombëtare. Ata duhet të rrinë qetë, pasi si duket përreth trupit diplomatik është lëshuar një mjegull e dendur. Ambasadorët duhet të kuptojnë se shërbimet e tyre kanë ra pre e falsifikimeve të shumta, në të kundërtën asnjë kërkese intelektuale nuk është dashur të refuzohet, të paktën është dashur ta kenë përkrahjen dhe mbështetje e tyre. E të mos tallen me ta përkthyesit e këshilltarët shqiptarë të cilët mund të jenë shkaktarët e këtij refuzimi shpërfillës!

Sot, intelektuali në Kosovë është i kërcënuar dhe i shantazhuar deri në absurd. Ata nuk i mbron askush, madje me ta nuk solidarizohen ambasadorët e as trupi diplomatik, e le më vendet mike dhe aleatët perëndimor. Me një fjalë për t’i mbrojtur vlerat duhesh me u bërë viktimë e tekeve kriminale dhe dosjeve të falsifikuara. Sot në mbrojtje të elitës intelektuale nuk po dëgjohet zëri i Ambasadorit të Amerikës, as zëri i ambasadorit të Britanisë së Madhe, as i atij të Gjermanisë, zëri i tyre mund të dëgjohet vetëm kur shprehin dufin kundër vendimeve absurde që i kanë marrë oligarkia kriminale e Kosovës, me të cilët i shohim për ditë, të cilët ftohen në ndeja e gazmende, në përvjetorë e data të caktuara, madje nuk ngurrojnë për t’ua uruar rizgjedhjen, edhe atëherë kur dihet se si janë shkelur rregullat e demokracisë, madje pa pasur as kundër kandidat.

Nga fotografitë e takimeve që plasohen në publik, është krijuar bindja se diplomatët e vendeve mike kanë krijuar aleanca të fuqishme me grupet e krimit, ndërsa deklaratat, akuzat dhe arrestimet, sikur bëhen për marketing të brendshëm politik.

Prishtinë, 5 gusht 2019, Ambasadori i Amerikës z. Philip Kosnett në vizitë Kryesisë së rizgjedhur të LDK-së

Pas gjithë cirkusit zgjedhor në nivel partish, sidomos pas Kuvendit të IX-të të LDK-së, ambasadori i Amerikës z. Pfilip Kosnett, gjeti kohë të shkojë për t’ia uruar rizgjedhjen e serishme Isa Mustafës dhe kryesisë së LDK-së, vizitë kjo që mund të përkthehet si përkrahje e drejtpërdrejt që po ua bënë Amerika strukturave komuniste dhe kriminale të pozicionuara në kryesinë e LDK-së.

Vërtetë ambasadori Amerikan në Kosovë z. Pfilip Kosnett do të duhej të shkonte në kryesinë e LDK-së dhe aty të qëndronte jo ma shumë se 5 minuta. T’ua thoshte çartë se Isa Mustafa për Amerikën është i padëshirueshëm, kurse procesi zgjedhor në LDK dhe sidomos Kuvendi IX Zgjedhor tërësisht i papranueshëm. Këtë mesazh kaq të qartë është dashur t’ia përcjell popullit të Kosovës dhe elektoratit të dëshpëruar brenda vet LDK-së. Pse të mos thoshte përpara gazetarëve të cilët e prisnin para derës, se për Amerikën një komunist i rafinuar i cili i ka mashtruar të gjitha sistemet, i cili ka ardhur në mënyrë antidemokratike në krye të LDK-së, madje pa qenë kurrë anëtarë i kësaj partie, është i papranueshëm.

Ambasadori i Amerikës në Kosovë e kishte obligim ndaj proceseve të deklarohej më qartë se procesi i brendshëm zgjedhor në partitë shqiptare, kësaj radhe në LDK ka rënë ndesh me vlerat e demokracisë amerikane dhe të të gjitha vendeve demokratike në Evropën Perëndimore, sidomos forma zgjedhore të cilën e aplikoi komunisti Isa Mustafa, bien ndesh me aspektet programore edhe të vet EPP-së ne emër të së cilës po e keqpërdor demokracinë Isa Mustafa, kurse në anën tjetër është duke e vazhduar avazin e tij kundër Kosovës, po më shumë kundër Amerikës dhe aleatëve të saj!

 

Vijon…

 

St. Gallen, 19 gusht 2019.

 

*Sh. Dibrani, është autor i 25 librave të cilët kryesisht i trajtojnë zhvillimet politike në Kosovë. Ai prej më shumë se tre dekadash jeton dhe vepron në Zvicër.

 

 

[1]https://klankosova.tv/ambasadori-amerikan-philip-kosnett-viziton-isa-mustafen-ne-shtepi/

[2]https://www.botasot.info/aktuale-lajme/1005749/ambasadori-amerikan-i-shkon-ne-shtepi-isa-mustafes/

[3]https://zeri.info/aktuale/232252/ambasadori-amerikan-takohet-me-mustafen-ne-shtepine-e-tij/

[4]https://insajderi.com/ambasadori-amerikan-i-shkon-ne-shtepi-isa-mustafes/

[5]http://www.veriu.info/zhvillime-te-reja-ambasadori-amerikan-i-shkon-per-vizite-ne-shtepi-isa-mustafes/

[6]https://orainfo.net/%E2%80%8Bambasadori-amerikan-i-shkon-per-vizite-ne-shtepi-isa-mustafes/