Nëse ndjeni se ju fryhen këmbët sapo afrohet stina e nxehtë e verës, nuk jeni të vetmit.

Kjo është një simptomë shumë e përhapur, kryesisht tek gratë dhe vajzat.

Fryrja e këmbëve dhe e duarve mund të shkaktohet nga një sërë arsyesh shëndetësore, por edhe nga faktorë të jashtëm që ndikojnë trupin.

Ndjesia e gjymtyrve të rënda të cilat duket sikur do të marrin flakë nga momenti në moment nuk është aspak e pëlqyeshme.

Kjo gjendje mund të kthehet në një bezdi dhe një pengesë në përditëshmëri duke ju bërë të ndiheni të lodhur vazhdimisht.

Ka disa arsye se përse temperaturat eksteme i ndikojnë kaq shumë këmbët dhe fryrjen pa pushim të tyre.

Në këtë artikull AgroWeb.org ju tregon se përse ky problem ndodh dhe si mund t’a evitoni.

Si ndikojnë temperaturat e nxehta

Rritja e temperaturave dhe ardhja e stinës së verës, do të thotë këpucë më të lehta me kyçe dhe këmbë më të zbuluara.

Ndonëse për shumë njerëz kjo periudhë është shumë e pëlqyeshme pikërisht për këtë fakt, ekspozimi ndaj nxehtësisë mund të jetë shkaku i rëndesës së trupit tuaj.

Ky fenomen nuk është gjë tjetër veçse një reagim normal i trupit, përveç rasteve kur nuk vuani nga sëmundje të tjera.

Kur trupi ndjen shumë nxehtësi për periudha të gjata, venat zgjerohen duke i lejuar lëngjet e tij të kalojnë në sasi të mëdha.

Zgjerimi i këtyre venave ndodh si një proçes natyral ku organizmi kërkon të rregullojë temperaturën e brendëshme të tij.

Për shkak të gravitetit gjaku që rrjedh shumë shpejt dhe shkon me shumicë në zonën e këmbëve.

Duke u kthyer në një problem për pjesën tjetër të trupit, ku përveç këmbëve të rënduara as zemra nuk furnizohet mjaftueshëm me gjak.

Pra, ky reagim për t’u vetëftohur çon në fryrje dhe rëndesë të këmbëve për shkak të gjakut që mblidhet në fund.

Çfarë e përkeqëson fryrjen e këmbëve

Kyçet dhe këmbëte fryra mund të shkaktohen ose përkeqësohet nga një numër i madh arsyesh.

Ndër më të rëndësishmet që duhet të evitoni AgroWeb.org j’ua rendit edhe më poshtë.

Kripa

Kripa e tepërt në ushqime dhe konsumi i saj në përditshmëri bën që në trup të akumulohen lëngje dhe ujra të tepërta.

Qëndrimi

Qëndrimi për kohë të gjata ulur apo në këmbë mund të mbledhë gjithashtu të gjithë lëngjet e trupit.

Për shkak të forcës së gravitetit qëndrimi në një pozicion mund t’i mbledhë ato  vetëm në një pikë, pra në këmbë duke shkaktuar fryrje.

Mosha

Mosha është diçka që s’mund t’a evitoni, por teksa ajo kalon mundohuni të bëni kujdes me stilin e jetesës.

Arsyet se përse ky problem shtohet me kalimin e viteve lidhen me nivelin e pakët të gjakut që zemra pompon.

Në këtë mënyrë pjesa më e madhe e gjakut dhe lëngjeve të tjera të trupit mblidhet në pjesën e këmbëve.

Mënyra si ta evitoni

Nëse fryrja e këmbëve tuaja shfaqet vetëm gjatë periudhave të nxehta të verës dhe jo nga sëmundje të tjera, ka disa mënyra se si mund t’a largoni.

Evitoni nxehtësinë

Sigurisht rregulli i parë në këtë rast është evitimi i qëndrimit për kohë të gjata në vende të nxehta.

Mundohuni t’a mbani trupin sa më të freskët që të jetë e mundur.

Për t’a bërë këtë sigurohuni të mos qëndroni shumë në kontakt të drejtpërdrejtë me dritën e diellit.

Gjithashtu evitoni shëtitjet apo daljet gjatë orëve kur termometri shënon temperature shumë të larta.

Mbani gjithnjë me vete një shije me ujë të ftohtë gjatë periudhës së verës, në mënyrë që të freskoni trupin dhe kyçet.

Evitoni banjot dhe dushet e gjata ne vaska me ujë të nxehtë, në vend të kësaj përdorni ujë të vakët.

Pasi të bëni dush mos harroni të lani këmbët me ujë të ftohtë para se të dilni.

Ngrini këmbët lart

Nëse keni këmbë dhe kyçe të fryra, një nga gjerat që duhet të bëni për të rregulluar qarkullimin e mirë të gjakut është pikërisht kjo.

Forca tërheqëse e gravitetit e përkeqëson fryrjen dhe lodhjen e këmbëve ndaj mundohuni t’i mbani këmbët lart.

Mund t’i vendosni në një karrige apo sipër një jasteku në mënyrë që gjaku të qarkullojë më mirë.

Mjekët rekomandojnë t’a bëni këtë 3-4 herë në ditë nga 30 minuta nëse vuani nga ky problem.

Mos qëndroni pa lëvizur

E rëndësishme është që të mos qëndroni gjithnjë në këmbë apo të ulur.

Trupi ka nevojë për ndonjë lloj aktiviteti në mënyrë që të funskionojë siç duhet.

Prandaj gjatë ditëve kur keni qëndruar shumë në këmbë mundohuni të pushoni.

Ndërsa gjatë ditëve kur keni qëndruar shumë ulur apo shtrirë mundohuni të ecni, qoftë edhe nëpër shtëpi.

Gjithashtu nuk rekomandohet as qëndrimi këmbëkryq pasi dëmton qarkullimin e mirë të gjakut.

Hidratohuni

Uji është pa dyshim një ndër zgjidhjet më të mira për çdo problem shëndeti.

Është një ndihmës shumë i mirë në nxjerrjen jashtë të toksinave, lëngjeve të tepërta dhe kripës së tëpërt.

Gjithashtu uji do të rregullojë edhe temperaturën e brendëshme të trupit tuaj duke lejuar qarkullimin e mirë të gjakut.

Mundohuni të konsumoni rreth 8 gota ujë në ditë.

Kujdesuni po ashtu të konsumoni ushqime të pasura me ujë si pjepri apo shalqini.

Magnezi dhe ushqimet e pasura me të janë gjithashtu një alternativë e mirë për të larguar fryrjen e këmbëve.