Në fillim të gushtit të vitit 1961 në Moskë u takuan udhëheqësit e atëhershëm të partive komuniste të Bllokut Lindor. Ata vendosën mbylljen e kufirit mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore.
Muri i Berlinit, pjesa lindore
Më 12 gusht 1961, Valter Ulbricht, kryetar i shtetit i RDGJ nënshkroi urdhërat për mbylljen e kufirit. Më 13 gusht, ushtria, policia dhe trupat luftarake nisën të ndërtojnë Murin e Berlinit.
Një mëngjes i mjegullt gushti në Bernauer Straße. Një tramvaj ecën qetë nëpër shina dhe zhurma e ndërtimit përzihet me tingëllimën e këmbanave të kishës. Dy turistë me çanta të mëdha shpine ecin rrugës përpjetë, në duar kanë një gidë udhëtimi. Më parë, muri kalonte mes për mes Bernauer Strasse, sot atje ndodhet vetëm një pjesë e këtij muri, e madhe dhe ngjyrë gri. Vizitorëve nuk u duhet shumë fantazi për ta spostuar përfytyrimin e tyre në kohën e ndarjes: “Mua po më dridhen gjunjët dhe nuk jam në gjendje të flas. Jam i shokuar”, shprehet një vizitor.
Shumica e turistëve çuditen që prej murit ka mbetur kaq pak dhe kërkojnë gjurmë dhe pjesë të mbetura në qytet.
Të ngjeshur me njëri-tjetrin qëndrojnë turistët në platformën – verandë të qendrës përkujtimore dhe vështrojnë nga sipër pjesët që kanë mbetur nga sistemi i gjerë i mbrojtjes së kufirit. Më të rinjtë e shohin për herë të parë murin, të vjetrit lidhin me të një pjesë të biografisë: “Më kujtohen mirë pamjet me ushtarin, që kërcen aty mbi telin me gjemba, në kohën e ndërtimit të murit nga Lindja për në Perëndim. Dhe gjithmonë dëgjoje lajmet se atje është vrarë dikush. Ishte e vështirë të pranoje përfytyrimin se këta ishin bashkëatdhetarë, gjermanë, që shtinin kundër njëri-tjetrit,” kujton një tjetër vizitor.
Më 13 gusht 1961, ushtria, policia dhe trupat luftarake nisën të ndërtojnë Murin e Berlinit.
Kur më 1989 Muri i Berlinit u hap dhe pak më vonë u rrëzua, pasoi një periudhë e distancimit ndaj këtij kapitulli të dhimbshëm të historisë gjermane të pasluftës. Asgjë nuk duhet ta turbullonte gëzimin për ribashkimin e sapofituar. Ky është një shkak se pse në Berlin kanë mbetur në kaq pak vende pjesë të Murit të Berlinit. Në shumë pjesë të qytetit, vendin ku ka kaluar Muri ta tregon vetëm një vijë e shënuar në tokë.