Vendimi për të sjellë në jetë një fëmijë, përpos lumturisë për një familje, shoqërohet gjithashtu me një ‘faturë’, që për shumëkënd mund të jetë e papërballueshme.
Në vitin 2018 INSTAT përllogarit se kanë ardhur në jetë 28.934 foshnje, duke pësuar një rënie prej 6,3 %, krahasuar me një vit më parë.
Një ndër shpenzimet e para që shoqëron gruan shtatëzanë janë vizitat gjinekologjike, të cilat kanë një kosto të konsiderueshme. Si protokoll mjekësor, gjatë shtatzënisë është e rekomandueshme nga mjekët që nëna të bëjë të paktën pesë vizita (një pjesë e të cilave analiza) dhe të paktën 5 eko (për 9 muaj).

Në spitalet private, një vizite gjinekologjike nis nga 3000 lekë, pa përfshirë analizat. Ndërsa, në rastin e vizitave në Qendrën e Gruas apo ndryshe konsultoret e lagjes, çmimi i një të tille mbulohet nga sigurimet shoqërore e shëndetësore në rast se nëna është në marrëdhënie pune. Në të kundërt, vizitat kushtojnë mesatarisht 1000 lekë.
Sipas shifrave më të fundit të publikuara nga INSTAT, bazuar nga raportimet e ISHP, vitin e shkuar vihet re një rritje e numrit të vizitave të bëra në shtet (ndonëse numri i lindjeve ka qenë krahasuar me një vit më parë). Kjo lidhet kryesisht me rritjen e çmimit të vizitave në klinika apo spitale private, që për shumëkënd mund të jetë e papërballueshme.

Në vitin 2018, numri i vizitave në konsultorin e gruas është 243.594 nga të cilat 62,4 % janë realizuar me asistencë të mjekut specialist. Numri i vizitave të para obstetrikale është 29.517, i cili është në linjë me numrin e lindjeve të raportuara gjatë vitit 2018.

Për lindjet në spitalet shtetërore në Shqipëri, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor teorikisht mbulon kostot, në rast se nëna ka sigurime shëndetësore prej 11 muajsh deri në datën e përfitimit të paralindjes, sipas ligjit nr. 104, të vitit 2014.

Spitalet private në vendin tonë operojnë me paketat e ndjekjes së periudhës së paralindjes dhe lindjes, kostoja e të cilave shkon 1000-1300 euro në varësi të spitalit. Ndërsa vetëm lindja, në spitalet private, kushton 600-800 euro dhe kjo shumë nuk i parashikon ndërlikimet që mund të vijnë nga lindjet cezariane..
Norma e fertilitetit në Shqipëri ka hyrë në një trend rënës që prej 2013-s. Në 2017-n norma mesatare e fertilitetit ishte 1.48, nga 1.54 që ishte më 2016.