Kryetari i parlamentit të Polonisë Marek Kuchcinski njoftoi të enjten se do të japë dorëheqjen pas publikimit të fakteve se kishte përdorur avionët qeveritarë për udhëtime private me pjesëtarët e familjes së tij. Përpara zgjedhjeve të pritshme të muajit tetor, skandali duket se vendos në pozitë të vështirë partinë në pushtet të krahut të djathtë nacionalist atë për Ligj e Drejtësi (PiS). Përfaqësuesit e kësaj të fundit patën thënë se po spastronin qeverisjen nga ajo që e quanin trashëgimi e marrjes së rushfeteve dhe ndikim komunist, që ishte toleruar sipas tyre nga qeveritë e mëparshme.

“Kam në plan të paraqes dorëheqjen time nesër” tha zoti Kuchcinski në një konferencë për shtyp, tre ditë pasi kërkoi falje për përdorim e avionëve qeveritarë për kryerjen e 23 fluturime me familjen. Analistët politikë thanë se deri të enjten Partia për Ligj e Drejtësi po zbatonte një qasje të llojit “prit të shohim çdo të ndodhë”, më shpresën që skandali do të shuhej për shkak edhe të sezonit veror.

Por fshehja e skandalit u bë e pamundur pasi media polake publikoi detaje të mëtejshme rreth fluturimeve duke nxjerrë në pah mospërputhje në shpjegimet e dhëna nga zoti Kuchcinski dhe qeveria. Sipas një sondazhi të publikuar të enjten nga tabloidi “Super Express” rreth dy e treta e polakëve ishin për dorëheqjen e kryetarit të parlamentit.

Një sondazh i kompanisë së specializuar “IBRiS”, zhvilluar përpara se të shpërthente skandali, i jepte partisë në pushtet për Ligj e Drejtësi (PiS) 41.7 për qind të votave, bllokut kryesor opozitar, Platformës Qytetare të qendrës 25 për qind ndërsa një grupi partish të majta 10.2 për qind të votave.