Mënyra se si ne e përdorim tokën mund të jetë çelësi i përshtatjes me ndryshimet klimatike, për mirë ose për keq. Kjo thuhet në një raport të Kombeve të Bashkuara të publikuar të enjten.

Përdorimi nga njerëzit ndikon drejtpërdrejt në 70 për qind të sipërfaqes së tokës të pa mbuluar nga akulli dhe ne po e çojmë drejt degradimit rreth një të katërtën e saj”, thuhej në raportin e komisionit ndërqeveritar të Kombeve të Bashkuara mbi ndryshimet klimatike.

Toka është njëkohësish burimi dhe “lavamani” apo gropa që thith gazrat që shkaktohen si pasojë e efektit serë“, thuhet në dokumentin prej 1000 faqesh.

Sipas gjetjeve të raportit toka është ngrohur dy herë po aq shpejt sa pjesa tjetër e planetit që nga epoka para-industriale. Ngrohja po çon në thatësira më të shpeshta dhe tejet serioze në disa zona si dhe në reshje ekstreme në disa të tjera apo valë të nxehti të shpeshta.

Ngjarjet që lidhen me motit, së bashku me rritjen e nivelit të detit, shkrirjen e sipërfaqëve të ngrira e mjaft zhvillime të tjera, po e degradojnë tokën dhe po rrezikojnë zinxhirët ushqimorë ku mbështeten me miliarda njerëz, thuhet në raportin e Kombeve të Bashkuara.

Për shembull, çmimet e drithërave mund të rriten me 7.6 për qind deri në vitin 2050, ndaj dhe në raport theksohet se “njerëzit e shtresave më të varfra të shoqërisë do të ndikohen më rëndë”. Nivelet e rritura të dioksidit të karbonit gjithashtu po i bëjnë bimët më pak ushqyese.

Ndërsa po zgjerohen zonat me shkretëtirë e klimë të thata, shoqëruar me një reduktim të zonave me klimë polare, bimët dhe kafshët “po përjetojnë ndryshime në llojet e tyre, në sasinë e ushqimit në dispozicion si dhe ndryshime në aktivitetetet e tyre sezonale”, shkruhet në raport.

Por gjatë konferencës për shtyp të enjten lidhur me raportin, shkencëtarët theksuan se megjithatë “Toka nuk është ende një kauzë e humbur”.

Ne nuk duam të përçojmë mesazhe dëshpërimi“, tha profesori i universitetit të Londrës “Imperial College” Jim Skea, për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Duam të përcjellim mesazhin se çdo veprim ka peshë”.

Raporti ofron një gamë zgjidhjesh, që përfshijnë prodhimin e produkteve ushqimore në nivele të qëndrueshme, menaxhimin më të mirë të pyjeve dhe tokës, ruajtjen e ekosistemit dhe rikthimin e sipërfaqeve të tokës në gjendjen e mëparshme, zvogëlimin e hapësirave të shpyllëzuara apo të degraduara si dhe zvogëlimin e sasive të ushqimit që shpërdorohen si dhe të mbeturinave.