Ligji i ri “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, i cili parashikon forcimin e një sërë masash, hyn në fuqi në datën 15 gusht, duke sjellë disa risi për duhanpirësit dhe subjektet.
Ligji i ri “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, i cili parashikon forcimin e një sërë masash, hyn në fuqi në datën 15 gusht, duke sjellë disa risi për duhanpirësit dhe subjektet. Referuar ndryshimeve, tashmë do të ndalohet përdorimi i cigares elektronike, duhanit me ngrohje apo shishe/nargjile, në ambiente të mbyllura, duke aplikuar për to të njëjtat rregulla si për format konvencionale të duhanpirjes.
Gjithashtu, me ndryshimet e fundit ligjore rriten masat penalizuese ndaj subjekteve që gjenden në shkelje të ligjit. Kështu, gjoba për të gjithë subjektet që shkelin ligjin për pirjen e duhanit në ambientet e brendshme është 300 mije lekë, por, nëse ata do të kapen në shkelje të përsëritur brenda një periudhe 3-mujore, masa administrative 2-fishohet, duke arritur arrin në 600 mijë lekë. Ndërkohë që, nëse subjekti i tatueshëm i penalizuar për herë të dytë gjendet përsëri në shkelje brenda një afati kohor 1-vjeçar, atëherë ndaj tij vendoset gjobë në vlerën e 300 mijë lekëve dhe pezullim të aktivitetit deri në shlyerjen e masave të gjobës.
Po ashtu, ligji i ri ndalon promocionin e fshehur nëpërmjet ngjyrave të logos së produkteve të duhanit. Ndërsa, nga ana tjetër, parashikon heqjen nga tregu nga qarkullimi të paketimeve të vogla, që kryesisht kanë nga 10 cigare. Megjithatë, kjo është një masë që do të zbatohet 2 vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit. Ndërkaq, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka nisur trajnimet me punonjësit, me qëllim zbatimin e ligjit të ri.