“Home Alone” (I vetëm në shtëpi) është një nga filmat më të ndjekur të “Disney” për gati 30 vite me radhë. Ky film komedi ka në qendër Kevinin, një djalosh 10-vjeçar, i cili harrohet në shtëpi nga familjarët dhe kalon një sërë peripecish me dy hajdutë që tentojnë të hyjnë brenda vilës. “Home Alone” pritet që të sillet në një version të ri dhe lajmin e ka dhënë vetë drejtuesi i “Disney”, Bob Iger. Ai ka paralajmëruar se ky film do të ripunohet, për t’u përshtatur me brezat e rinj. Megjithatë kjo gjë nuk është pritur aspak mirë nga fansat e “Disney”, të cilët nuk e kanë pëlqyer versionin e ri të ” E bukura dhe bisha”, “Mbreti luan” apo “Libri i xhunglës”. Dikush prej fansave ka shkruar në “Twitter” se do të ishte mirë që “Disney” të prodhonte një histori të re, se sa të risjellë në një formë tjetër filmat që janë realizuar më parë. Sipas fanatikëve të filmave të vjetër nuk ka kuptim që e gjithë magjia e filmit të shkatërrohet për ta përshtatur me kohën. Megjithatë këto ide të tyre nuk pritet të merren parasysh, sepse “Disney” do të sjellë në version të ri edhe të “Night at the museum”, “Cheaper by the dozen” dhe “Diary of a wimpey kid”.