Ëmbëlsirat janë ndër ushqimet më të mrekullueshme të kuzhinës.
Edhe procesi i përgatitjes së tyre është i mbushur me delikatesë dhe dashuri.
Keku mund të themi që është ëmbëlsira më e njohur dhe e përdorur në të gjithë botën.
Variacionet e tij janë të shumëllojshme, ideale për të kënaqur shijen e gjithsecilit.
Në recetën e sotme AgroWeb.org ju tregon një mënyrë të re të përgatitjes së kekut, atë me çaj kamomili dhe mjaltë.
Një recetë e lehtë ku nuk do t’ju duhet të përdorni as gjalpë dhe as vezë.
Ndiqni më poshtë mënyrën e saktë të përgatitjes së këtij keku plot aromë e shije.
Përbërësit
200 gr miell
170 ml ujë
95 gr sheqer
40 gr niseshte patatesh
1 pako fryrës për ëmbëlsira
22 ml vaj
2 lugë çaji mjaltë
3 bustina çaji kamomili
kanellë
sheqer pluhur
Përgatitja
Për të nisur me përgatitjen e këtij keku AgroWeb.org ju këshillon të ngrohni fillimisht ujin në të cilin duhet të hidhni bustinat e kamomilit.
Lëreni ujin të ziejë për disa minuta, të paktën 10 derisa të shikoni që i gjithë kamomili ka kulluar në të.
Ndërkohë në një enë të veçantë përzieni miellin, niseshtenë dhe sheqerin dhe mjaltin, sipas dëshirës mund të hidhni edhe dy lugë të vogla kanellë.
Hiqni tashmë çajin e kamomilit nga zjarri, bashkojeni me pak vaj dhe shtojeni pak nga pak tek ena ku ndodhet mielli.
Teksa përzieni përdorni një rrahës elektrik për ëmbëlsira dhe bëni kujdes që të mos krijohen kokrriza tek brumi.
Pasi të jetë formuar një masë brumi kompakte dhe e trashë bëjeni gati për ta hedhur në tavën e pjekjes.
Kini kujdes që tek tava të vendosni një letër furre para se të hidhini brumin e kekut tuaj.
Ndizni furrën paraprakisht në temperaturën 180 gradë dhe lëreni kekun të piqet për 40 minuta, duke e kontrolluar herë pas here.
Kur të shikoni që ka marrë pamje të artë, nxirreni nga furra dhe lëreni të ftohet për pak minuta në tavë.
Më pas mund ta hiqni dhe sipas dëshirës mund ta spërkatni me pak sheqer pluhur, shija do t’ju lërë pa fjalë.