Me siguri, pjesës më të madhe të njerëzve u është dashur të qëndrojnë deri vonë në punë për të përfunduar detyra urgjente apo të kalojnë edhe një natë të tërë për të respektuar një afat të caktuar.

Kur raste të tilla përbëjnë një përjashtim më shumë se sa një normë, ndikimi negativ është i vogël për shkak të punës ekstra dhe orëve të papaguara. Por në disa kompani, ekziston pritshmëria që të gjithë duhet të punojnë përtej orëve të kontraktuara.

Kjo mund të çojë në një kulturë pune, ku njerëzit që largohen në fund të orarit të caktuar të punës të konsiderohen jobesnikë apo se tregojnë mungesë angazhimi. Edhe nëse ky zakon nuk ekziston në mesin e drejtuesve, mund të ketë edhe një apo dy persona që angazhohen të qëndrojmë më vonë se të tjerët në një shfaqje publike përkushtimi. Por prezenca, siç cilësohet ndonjëherë, mund të jetë e dëmshme për shëndetin, produktivitetin dhe mirëqenien e personave.

Një projekt kërkimi botëror i ndërmarrë nga një grup i shërbimeve të sigurimit, Maxis GBN, ka gjetur se punonjësit në Emiratet e Bashkuara të Arabeve punojnë më shumë orë përtej orarit të punës se në çdo vend tjetër të botës. Çdo muaj, një punonjës i zakonshëm në Emiratet e Bashkuara rrezikon të punojë 24 orë ekstra  dhe 71% e tyre ndien se vendi i tyre i punës vuan nga prezenca.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Hong-Kongu renditen në vend të dytë, me 23,2 orë punë shtesë në muaj. Në Francë, punonjësit, pavarësisht masave të famshme mbrojtëse në vendin e punës dhe të drejtave të tyre, nuk mbeten shumë prapa, me 22,4 orë ekstra në muaj

Pavarësisht nga vendi ku ishin, të intervistuarit në studim thanë se kultura e punës ishte e rëndësishme kur merrnin në konsideratë një punë të re – 82% deklaroi se e vlerëson “të rëndësishme” dhe 58% e të anketuarve e konsideron kulturën e punës “shumë të rëndësishme”.

Vitin e kaluar, një studim i Chartered Institute of Personnel Management në Britaninë e Madhe gjeti se 86% e punonjësve britanikë ka vëzhguar prezencën në kompaninë e tyre në 12 muajt e fundit krahasur me 72% në vitin 2016. Në vitin 2010, kjo shifër ishte vetëm 26%. I njëjti kërkim gjeti se 55% e të intervistuarve ka raportuar rritje të ankthit, depresionit dhe gjendje të tjera të shëndetit mendor, krahasuar me 41% në vitin 2016. Depresioni dhe ankthi i kushtojnë ekonomisë botërore 1 trilion dollarë në aspektin e humbjes së produktivitetit.

Sfida për kompanitë me një kulturë të prezencës është ndikimi që mund të ketë në mirëqenien e punonjësve. Siç është raportuar gjerësisht, problemi i të punuarit përtej orarit për orë të tëra në Japoni ka çuar në një epidemi të privimit të gjumit dhe në raste më ekstreme, në humbje jete.

Nëse të punuarit për një orë ose pak më shumë çdo ditë nuk ka të ngjarë të sjellë “karoshi” (vdekje për shkak të mungesës së gjumit), efektet në tërësi mund të jenë të dëmshme. Duke u mohuar njerëzve mundësinë për një ekuilibër të shëndetshëm mes jetës profesionale dhe asaj private dhe duke promovuar një kulturë mbijetese të vetëm më të fortëve, efekti neto mund të jenë një sërë problemesh që lidhen me stresin. Këto, në anën e tyre, mund të shndërrohen në probleme të shëndetit mendor më të rënda si depresioni apo ankthi.

Edhe produktiviteti vuan nga një kulturë e tillë në vendin e punës. Në fakt, edhe pse ka përfitime të shumta kur njerëzit qëndrojnë gjatë në punë për të përfunduar punën që ju është ngarkuar, me kalimin e kohës, personeli i lodhur dhe i pakënaqur ndihet i nënvlerësuar. Ata që vuajnë nga sëmundje që lidhen me depresionin, në një afat të gjatë kanë gjasa të kenë nevojë për një periudhë pushimi.

Është interesant fakti që vendet me orare pune më të shkurtra regjistrojnë shpesh nivel produktiviteti më të lartë. Në mbledhjen e përvitshme të World Economic Forum në Davos, psikologu organizativ dhe profesori i Warton, Adam Grant, dhe ekonomisti i shquar Rutger Bregman theksuan se reduktimi u orarit të punës mund të ketë një sërë përfitimesh, si për punëmarrësit edhe punëdhënësit.

*Sean Fleming, Senior Writer, Formative Content
Burimi: World Economic Forum