Që nga fillimi i protestave pro-demokratike në Hong Kong, të paktën katër persona kanë vrarë veten. Të gjithë ata që u vetëvranë në qytetin gjysmë autonom të Kinës, kanë lënë nga një letër ku kanë kritikuar qeverinë. Vdekjet kanë ngritur shqetësime nëse në Hong Kong do të shpërthejë një krizë publike shëndetësore, në veçanti tek të rinjtë e dëshpëruar të Hong Kongut.

Në këtë vend humbi jetën një 35 vjeçar, që është rasti i parë që një protestues i Hong Kongut i merr vetes jetën.

Gati një muaj pas këtij incidenti, një vullnetar i Kishës po sigurohet që memoriali i tij të mbahet pastër. Një lidhje e thellë emocionale me dikë që nuk e ka takuar kurrë.

Po kështu ndihen me mijëra persona që rreshtohen çdo ditë për të nderuar njeriun që u vetëvra, dukuri kjo që çdo ditë e më shumë po shpeshtohet.

“Të rinjtë e Hong Kongut janë shumë të pikëlluar. Nuk kanë shpresë për të ardhmen.”

Telefonatat në linjën e urgjencës për raste vetvrasjesh, Samaritans Hong Kong, janë shtuar që kur filluan protestat. Ndonëse jo të gjitha thirrjet kanë lidhje me politikën, situata është një faktor.

“Njerëzit janë të shqetësuar për të ardhmen e Hong Kongut. Janë të mërzitur me pamjet që shohin në televizion ose në rrugë.”

Qyteti për javë të tëra është tronditur nga protestat masive paqësore kundër propozimit që lejon esktradimin e banorëve të Hong Kongut në Kinë.

Një grup i vogël protestuesish përdori edhe dhunën për të kundërshtuar, duke rrezikuar dënime të rënda me burg për sulm ndaj simboleve të një qeverie që ata e shohin si të jashtëligjshme. Ndërsa dëshpërimi i protestuesve rritet, shtohet edhe frika e më shumë vetvrasjeve.

Disa kanë nisur t’i quajnë martirë të vetvrarët, duke ngritur dilema se si të nderohen këto viktima pa inkurajuar vdekje të reja.

“Vetflijimi është një problem që Tibetianët e kishin prej kohësh. Nga njëra anë nuk mund të mos e nderosh sakrificën e një personi, por nga ana tjetër është diçka që nuk do ta inkurajosh.”

Shumë aktivistë po punojnë që të ndalojnë këtë fenomen.

“I lus ata që të mos e bëjnë atë. Sepse nuk do të kryej punë në përballje me komunistët kinez të cilët janë të pamëshirshëm dhe nuk kanë qëndrim moral.”

Qeveria e Hong Kongut që është e afërt me Pekinin, thotë se projektligji i ekstradimeve që nxiti këto protesta, ka marrë fund.

Por aktivistët nuk pranuan këto komente, duke thënë se do të vazhdojnë të luftojnë.