Grekët po votojnë të dielën në zgjedhjet e para parlamentare që kur vendi doli nga tri programe ndërkombëtare të shpëtimit, por ende po përballet me krizën financiare gati dhjetëvjeçare.

Zgjedhjet u organizuan tre muaj para afatit, pas humbjes së kryeministrit Alexis Tsipras në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Anketat flasin se grekët janë të vendosur të kundërshtojnë prirjen e fundit evropiane të rritjes së mbështetjes për partitë populiste dhe udhëheqësi konservator opozitar, Kyriakos Mitsotakis, është favorit i zgjedhjeve të sotme.

Votimet e së dielës ndodhin në një periudhë kur vendi po rimëkëmbet nga një krizë e rëndë financiare që shkaktoi shkallë të lartë të papunësisë e varfërisë.

Mbijetesa e saj varej deri në verën e kaluar nga programet ndërkombëtare të shpëtimit dhe Greqia u detyrua të kryej reforma të thella, përfshirë shkurtimet masive të shpenzimeve dhe rritjen e taksave, për t’u kualifikuar për kreditë e shpëtimit.

Alexis Tsipras, 44 vjeçar, tha se partia e tij, Syriza, mund të përmbysë parashikimet e anketimeve. Përveç masave të shpëtimit, ai arriti një marrëveshje me Maqedoninë fqinje për ndryshimin e emrit të saj. Marrëveshja e mbështetur nga aleatët perëndimor, zemëroi shumë grekë të cilët e shohin përdorimin e emrit të Maqedonisë si shprehje të synimeve ekspansioniste ndaj krahinës greke me të njëjtin emër.

Kyriakos Mitsotakis, i biri i ish kryeministrit grek dhe vëlla i ish ministrit të Jashtëm grek, është zotuar ta bëj Greqinë më miqësore ndaj bizneseve, të tërheqë investime të huaja, të modernizojë burokracinë greke dhe të ulë taksat.

Ndonëse qartazi duket favorit për të fituar zgjedhjet e së dielës, numri i partive më të vogla që mund të hyjnë në parlament, mund të përcaktojë nëse ai do të ketë vota të mjaftueshme në parlamentin 300 vendesh për ta ngritur qeverinë.

Atij i duhen të paktën 151 vende që të jetë në gjendje të qeverisë pa lidhur koalicion me ndonjë tjetër parti.