Në Shtetet e Bashkuara ekzistojnë me qindra-mijëra kisha. Dhe megjithëse çelen çdo vit rreth 5 mijë kisha të reja, po kaq prej tyre edhe mbyllen – kryesisht për arsye ekonomike. Kishat vakante pastaj rimodelohen dhe ripërdoren si komplekse apartamentesh, librari apo muzeume. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Nataliya Leonova, një kishë madje është kthyer në birrari, në qytetin Pittsburgh, të shtetit Pensilvani.

Kjo godinë dikur kishë katolike, nga jashtë nuk të lë asnjë ndjesi të pazakontë. Por, brenda ajo nuk ka asgjë tradicionale. Stolat janë vendosur përqark tavolinave të ngrënies. Aty ku dikur njerëzit futeshin për t’u rrëfyer, tashmë gjendet një bar me pije të forta. Dhe aty ku dikur ndodhej altari, tashmë gjendet punishtja e birrës.

FILE - Jesse Hulien, right, drinks a beer as Molly Hartman, left, looks on, at the Church Brew Works, a former church renovated into a brewery, in Pittsburgh, Aug. 7, 2017.
FILE – Jesse Hulien, right, drinks a beer as Molly Hartman, left, looks on, at the Church Brew Works, a former church renovated into a brewery, in Pittsburgh, Aug. 7, 2017.

23 vite më parë u bë ceremonia e çshenjtërimit të Kishës së Gjon Pagëzorit. Ekonomia që dikur lulëzonte, pati filluar rënien. Gjithnjë e më shumë njerëz largoheshin, duke mbetur kështu shumë pak besimtarë që vinin në kishë.

“Kjo kishë u ndërtua në vitin 1902. Kur doli në shitje, unë u impresionova nga godina dhe mendova të krijonim një lloj pub-i të stilit evropian”, thotë Sean Casey, pronar i kompanisë “Church Brew Works”.

Kështu lindi një punishte e vogël birre. Sfida më e madhe ishte instalimi i gjashtë çisternave të mëdha në vendin ku dikur ndodhej altari.

“Njëzet fuçi që janë sa mijëra arka birre. Dhe këtë proces mundemi ta bëjmë disa herë në ditë. Pra, mundemi të prodhojmë çdo ditë mbi 4500 litra birrë”, thotë Dan Yarnall, i cili drejton procesin e prodhimit.

Për zotin Yarnall, prodhimi i birrës është vërtet një ritual i shenjtë.

“Për mua është si një meditim. Pavarësisht se çfarë po ndodh në jetën time, në momentin që rrotulloj çelësin për të filluar procesin, ai nuk mund të ndalet më. Duhet ndjekur procesi deri në fund. Pra, nuk mendoj për asgjë tjetër, përveçse që të prodhoj birrë të shkëlqyer”, thotë ai.

Prodhimet e kësaj punishteje me llojet e birrës me emra si “E arta qiellore”, apo “E errëta e murgut të përkorë”, kanë fituar shumë çmime në festivale ndërkombëtare. Por, nuk është vetëm birra që tërheq vendasit dhe turistët në këtë pub.

“Herën e parë që erdha këtu nuk u ndjeva shumë komod të pija birrë në një kishë. Por, pasi kuptova se ishte çshenjtëruar, vazhdova më i qetë”, thotë një klient i birrarisë.

Zoti Casey shpreson që fëmijët e tij ta vazhdojnë biznesin e familjes duke i shërbyer kështu komunitetit, megjithëse mund të duket si diçka jotradicionale. Të paktën, thotë ai, do të kenë bekimin e tij.