Urime, urime…me hajr dhe e gëzofshim”, ishin fjalët uruese të para 29 vitesh, anekënd Kosovës. Këto urime të qytetarëve vinin pasi që delegatët e Kuvendi të Kosovës (para dyerve të objektit të Kuvendit), kishin shpallë Kosovën e Pavarur. Me 2 korrik të vitit 1990, Muharrem Shabani me kolegët e tij, kishin lexuar një deklaratë që Kosovën e konsideronte si njësi të barabartë me njësitë tjera të RSFJ. Deklarata e lexuar dhe aprovuar nga deputetët e pranishëm, e që njihet si “Deklaratën e Pavarësisë”, kishte rastisur të jetë ngjarje e shënuar në të njëjtën kohë me Festën e Bajramit.
Populli shqiptar, edhe pse priste të përballet me një regjim vrastar, ishte i vendosur në rrugën e nisur për Liri, Pavarësi dhe Demokraci, në ballë të cilës qëndronte njeriu që u shndërrua në lider të vërtetë, shkrimtari i urtë, dr. Ibrahim Rugova.
Dr. Rugova, jo vetëm që arriti ta ruaj popullin, duke e larguar nga tytat vrastare serbo-sllave, e detyroi botën e civilizuar, e detyroj NATO-n, ta njehë këtë shtet të vogël, dhe ta ndihmon në rrugën e zhvillimit dhe integrimit. Kosova, përkatësisht institucionet e saja, në krye të cilave ishte Presidenti Rugova, synonte të zhvillohej si një shtet demokratik, i zhvilluar ekonomikisht, e ku do të sundonte rendi dhe ligji, liria e lëvizjes, barazia dhe respekti për të gjithë qytetarët.
Në këto zhvillime popullore, pjesë e pandashme ishin edhe deçanasit, në raste edhe prijës të zhvillimeve. Ishin juristët e Deçanit që jetësuan Kushtetutën e shtetit të Pavarur të Kosovës, Kushtetutën e Kaçanikut, në krye të cilëve ishte vënë, tashmë heroi i kombit, Sali Çekaj. Ishin deçanasit ata që nuk hezituan të rreshtoheshin përkrah forcave çlirimtare, duke iu kundërvënë barbarisë vrastare, me “gjuhën e forcës” deri në çlirim.
Qytetarët, e sidomos ata që derdhën gjakun për këtë vend, që dhanë jetën për këtë Kosovë, do mallkojnë këtë politikë të krimit dhe korrupsionit, politikë të mbjelljes së pesimizmit dhe urrejtjes ndër vëllazërore. Pakënaqësia e deçanasve, pesimizmi dhe mosbesimi në krerët politik e institucional, dita ditës po shtohet, gjë që mund edhe të humbet durimi, ngase jeta e tyre çdoherë e më shumë po rëndohet.
Qytetarët e Deçanit, sikurse gjithë Kosovës, çdoherë kanë shpresuar për një të ardhme më të mirë. Populli meriton një jetë më optimiste, shtet më funksional dhe të besueshëm, i cili do siguronte mirëqenie dhe gjumë të rehatshëm. Askush nuk e ka menduar Kosovën të nënshtruar e të copëtuar. Asnjëri nuk ka menduar se në krye të shtetit dhe institucioneve të saja, të jenë persona të pa aftë politikisht dhe profesionalisht, e që prioritet kanë interesin personal e grupor. Qytetarët nuk meritojnë institucione të pa afta e të përulura, të nënshtruara e të marrosura! Qytetarët dojnë Kosovën e zhvilluar dhe të integruar. Dojnë Kosovën që të udhëhiqet nga njerëz të aftë profesionalisht dhe jo njerëz të krimit!?