Ballina Personazh Hysen Papa-përtej memories së pushtetit! – Nga Guxim Alimani

Hysen Papa-përtej memories së pushtetit! – Nga Guxim Alimani

(Portret i pa autorizuar)         

Sidomos në këto 30 vitet e fundit, kur shkrimi është i lirë për të vlerësuar e ç’vleftësuar këdo e pushteti nderon e ç’nderon sipas interesave politike, klanore e nepotike, është  gjë e vështirë të shkosh tek e vërteta. As unë nuk dua të shkoj drejt përvetësimit të këtij monopoli. Por duke ju qasur një portreti njerëzor të mirënjohur në Tropojë, si Hysen Papa, kam dëshirë të apeloj për një realizëm më të madh në vlerësimin e figurave të vendlindjes tonë.

E them këtë pasiqë shoh prej tre dekadash të nderohen e dekorohen gjithfarë njerëzish, që nuk i lidh asgjë me Tropojën dhe nuk kanë as gjurmën më të vogël të kontributit në jetën e këtij qyteti. Por, kjo”harresë” e pushtetit për kontributorët e vërtetë, që djersën e vizionin e tyre e ngritën si lapidar në qytetin e bukur alpin, në fakt është ngushëllim, pasi autoriteti dhe vërtetësia e tyre jo vetëm është atrofizuar, por është në limitet e pabesueshmërisë.

Njerëzit e mëdhenj me kontribute të çmuara hyjnë në historinë e komunitetit, jo me shtytje të qeveritarëve, por me gjurmët e mira që lënë në kujtesën e bashkëqytetareve.

E kjo kujtesë, ndonëse jo e bujshme, është reale, fisnike dhe e qëndrueshme. Mbi të gjitha është e sinqertë.

Pikërisht në këtë pjesë të bekuar të memories për Tropojën e, kryesisht për Qytetin e B.Currit, qëndron Hysen Papa.

Është ndër të paktët burra që nuk përmendet për detyrat e larta partiake e shtetërore, por monumentalisht ka ngelur si simbol i punës e vizionit qytetar dhe i përkushtimit atdhetar për të ngritur nga hiçi një qytet…, një qytet të bukur mes alpesh, i cili asokohe thuhej se shembëllente si model dhe për Kosovën e okupuar. Ky është pra Hysen Papa që brezi im e, ata më të rritur se ne, e mbajnë mend mirë.

Pa u futur në detajet e gjithshkaje që ky burrë i la dhuratë qytetit e Malësisë së Gjakovës, po citoj një plak të mencur, i cili kur mësoi se do të  shkruaja disa rradhë për Hysen Papën, më tha: -Shkruaj dy rradhë prej meje. Dhe unë po e mbaj porosinë e tij duke ja cituar mot à mot fjalët: “Kryesisht paria politike e Malsisë për 70 vjet ngeli bajraktare e pushtetit, ndërsa Hysen Papa ngelet bajraktar i punës”. Fjalë të thjeshta që nuk është e zorshme t’i përkthesh, pasi pushteti është bajrak (flamur) kalimtar, ndërsa puna e vizioni ngelen.

Dhe vërtetë edhe për Hysen Papen ka ngelur thelbësorja, jo vetëm në memorien e Vendlindjes, por dhe e materializuar në çdo gjë relevante që përcakton identitetin e këtij qyteti. Që nga Shkolla te Spitali, nga Muzeu te Bashkia, nga Pallati i Kulturës te Shtëpia e Pritjes.

Disa nga gjurmët më produktive të punës së Hysen Papës, sidomos pemwtaria e vreshtaria sot janë zhdukur. Të vjen keq kur kujton se dhe nw ditët e atëhershme të izolimit Kumbulla e Tropojës eksportohej me tonelata në Hungari e gjetkë.

Të tillë shembuj për Hysen Papën ka me qindra. Unë desha të hap vetëm një shteg në kufijtë e “harresës” për një njeri të madh të punës e vullnetit human. Janë me dhjetra bashkëkohës të tij, të cilët besoj se do mw pasojnë në këtë inciativë kujtese në mënyrë që ky shembull jo vetëm të ndricohet e nderohet, por së pari të shndërrohet nw model. I le të hapura këto rradhë, ndoshta pse jo dhe për një tubim-simpozium intelektual.

Është detyrë qytetare lançimi i të vërtetave e kontributeve të secilit, pasi kjo inkurajon dhe brezat e rinj që si Hysen Papa të lënë diçka të vlefshme në kujtesen e vendlindjes!

 

Guxim ALIMANI

 

Tropojë, qershor 2019