Nënshkruhet marrëveshja ndërqeveritare Gjermani-Shqipëri për ofrimin nga Gjermania të asistencës teknike për të mbështetur përgatitjet e Shqipërisë për negociatat e anëtarësimit në BE.
Mes Qeverisë shqiptare dhe asaj Gjermane u nënshkrua në Tiranë, të mërkurën, (26.06.2019) marrëveshja për ofrimin nga Gjermania të asistencës teknike për të mbështetur përgatitjet e Shqipërisë për negociatat e anëtarësimit në BE, në kapituj të përzgjedhur ekonomikë të Acquis.
Në një deklaratë për mediat të Ambasadës Gjermane në Tiranë, bëhet me dije se programi i asistencës teknike ka një vlerë prej 2 milionë eurosh dhe zgjat tre vjet. Ai financohet nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe zbatohet nga GIZ, (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit, Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar).
Asistencë teknike në 4 kapituj kryesorë ekonomikë
Synimi i asistencës teknike, thekson deklarata e Ambasadës Gjermane në Tiranë, është “të pajisë, anëtarët e strukturave të ardhshme përgjegjëse për negociatat e Shqipërisë, me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të kryer negociatat e anëtarësimit në BE në katër kapitujt kryesorë ekonomikë.”
Kapitujt në fjalë kanë të bëjnë me cilësinë dhe garantimin e sigurisë së produkteve në treg, mbrojtjen e shëndetit dhe të drejtave të konsumatorëve, zhvillimin e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, mundësimin për shoqëritë tregtare dhe individët për t‘u vendosur apo ofruar shërbime lirisht dhe pa u diskriminuar kudo në BE.
Përtej 4 kapitujve të sipërpërmendur marrveshja ofron mbështetje për të avancuar në punën përgatitore të nevojshme për përmbushjen e kritereve të kërkuara në këta kapituj.
Rritje e pjesëmarrjes së shoqërisë civile – në zbatimin e marrveshjes
Marrëveshja ndërqeveritare Gjermani – Shqipëri synon edhe rritjen e pjesëmarrjes së organizatave të shoqërisë civile në procesin e përgatitjes për happen e negociatave. Sipas deklaratëss për shtyp të Ambasadës Gjermane në Tiranë, kjo do të realizohet përmes lehtësimit nga pala gjermane të “konsultimeve dhe tryezave të diskutimeve me përfaqësues të komunitetit të biznesit, shoqatave të konsumatorëve dhe aktorëve të tjerë joshtetërorë”.
“Si një ofrues shërbimi me mbi 50 vjet eksperiencë në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillim të qëndrueshëm, GIZ është përkushtuar në formësimin e një të ardhmeje të denjë për t’u jetuar në mbarë botën”, vë në dukje deklarata. Ekspertiza e GIZ mbulon një larmi fushash, duke përfshirë zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e punësimit, energjinë dhe mjedisin, paqen dhe sigurinë. “GIZ kërkohet në të gjithë globin – që nga Qeveria Gjermane, institucionet e Bashkimit Evropian, Kombet e Bashkuara, sektori privat deri tek qeveritë e shteteve te tjera”, bën me dije deklarata e Ambasadës Gjermane në Tiranë.
GIZ në Shqipëri – projekte me vlerë 200 milionë Euro
Bashkëpunimi midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Shqipërisë filloi në vitin 1988. Gjatë këtyre viteve, GIZ ka realizuar projekte prej rreth 200 milionë euro. Bashkëpunimi me Qeverinë Shqiptare aktualisht është fokusuar në tre fusha prioritare: zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik; uji, ujërat e zeza, mbetjet e ngurta dhe në një masë më të vogël efiçienca e energjisë, thekson deklarata për shtyp e Ambasadës Gjermane në Tiranë.