Edhe këtë vit në kryeqytetin amerikan u nderuan viktimat e komunizmit në botë. Ceremonia këtë radhë përkon me 30 vjetorin e shembjes së murit të Berlinit dhe 70 vjetorin e krijimit të NATO-s. Në ceremoninë e zhvilluar në Uashington morën pjesë edhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan. Nderim i veçantë iu bë figurës së Dom Shtjefën Kurtit i cili në kohën e regjimit komunist në Shqipëri u pushkatua vetëm se pagëzoi një fëmijë. Dom Shtjefën Kurti është një nga 38 martirët shqiptarë që shpalli Vatikani dhe që u lumnua në vitin 2016. Siç njofton korrespondenti ynë Burim Goxhuli, të mbijetuarit e komunizmit vlerësojnë lartë figurën e tij dhe të gjithë të tjerëve që nuk iu nënshtruan diktaturës.

Memoriali i viktimave të komunizmit në Uashington u rrethua të premten nga kurora lulesh.

Ato u sollën nga përfaqësues të 50 misioneve diplomatike në SHBA, përfaqësues vendesh, që ishin nën regjimin komunist dhe organizata për të drejtat e njeriut.

Viktimat e komunizmit u nderuan edhe nga Ambasada e Shqipërisë në SHBA me një kurorë lulesh dhe një minutë heshtje pranë statujës së ashtuquajtur Zonja e Lirisë.

Po në këtë ditë, u kujtua edhe figura e Dom Shtjefën Kurtit, meshtari shqiptar që ishte viktimë e regjimit komunist në Shqipëri.

Nipi i tij, Nikolin Kurti ka porositur një kurorë lulesh në emër të gjyshit të tij, të cilën në memorial e vendosi Drejtori i Qendrës Nënë Tereza në Nju Jork, Marian Cubi.

Në vitin 1944 komunizmi erdhi në pushtet dhe dy apo tre vite më vonë u arrestua Shtjefën Kurti dhe u dënua me 20 vjet burgim. Atë e dërguan në kampin e Burrelit, ku vuajti jashtëzakonisht shumë, ashtu si shumë shqiptarë dhe shumë njerëz të tjerë nga komunizmi. Në vitin 1971, At Shtjefën Kurti bëri edhe pagëzime në kampin e përqëndrimit dhe për këtë gjë u dënua me vdekje nga komunizmi. Ai u fut në listën e 38 martirëve që shpalli Vatikani dhe në 2016 përfundimisht u bë lumturimi i tij. Prandaj jam i sigurt se të gjithë duhet të mburren me rezistencën e Shtjefën Kurtit si një nga rezistuesit më të mëdhenj të komunizmit. Unë mendoj që ai do të mbetet i paharruar kurdoherë në historinë shqiptare“, thotë zoti Cubi.

Dom Shtjefën Kurti, ishte lindur e rritur në Kosovë, por regjimi jugosllav e detyroi atë të kërkojë paqe në Shqipëri, të cilën nuk e gjeti.

Është një nder i veçantë që iu bëjmë kujtimeve të komunizmit, për Dom Shtjefen Kurtin i cili është martiri i fundit i kishës që u pushkatua nga komunizmi. Para se të pushkatohej, e pyetën: “A po të dhimbset jeta”? Ai u përgjigj: “nuk më dhimbset, por po më dhimbset sepse po ma merrni ju”. Arsyeja që e pushkatuan ishte vetëm se pagëzoi një fëmijë. Figurat si ky kanë qënë të paimagjinume. Dom Shtjefën Kurti është figurë dhe martir i Kishës Katolike, po jo vetëm i kishës, por i tërë popullit shqiptar. Se ky është biri i Kosovës të cilin komunizmi e pushkatoi në Shqipëri“, thotë Mark Memaqi, i mbijetuar i komunizmit në Shqipëri.

Rasti i tij kishte tronditur në atë kohë shqiptarët e Amerikës, të cilët nëpërmjet demonstratave dënonin ekzekutimin e Dom Shtjefën Kurtit.

Ne morëm vesh prej meshtarit tonë në atë kohë, Dom Zef Roshi, që na tregoi se ishte dënuar me pushkatim Shtjefen Kurti për shkak të një ceremonie. Në atë kohë, më 1971, si komunitet ne organizuam një demonstratë për këtë gjë që ndodhi në Shqipëri sepse ishte gjë e paimagjinueshme, që një meshtar të pushkatohet për detyrën e tij. Kjo ndodhi afër 50 vite më parë“, thotë Paulin Mernaqaj, i mbijetuar i komunizmit në Shqipëri.

Nderimi i viktimave dhe diskutimi për kohën e komunizmit, u shëron plagët të mbijetuarve të torturave që panë e përjetuan Shqipërinë e viteve 1944-1992.

Ne kemi ardhur këtu të prezantojmë këshillin shqiptaro-amerikan, të vëmë një kurorë për viktimat të cilët humbën jetën dhe vuajtën sidomos tek ne në Shqipëri, që mëmëdheu jonë krijoi kampe, vrau, torturoi popullin e vet. Diktaktura sllavo-komuniste e Shqipërisë shkatërroi të gjithë ata që nuk besonin në komunizëm, prandaj sot erdhëm të respektojmë viktimat që ranë kundër komunizmit“, thotë Haxhi Dauti, i Këshillit Shqiptaro-Amerikan.

Kjo është një ditë që pak a shumë kur vijmë këtu ne rikujtojmë dhe na lehtësohen pak dhimbjet që përjetuam në atë masakër të tmerrshme. Flas për një Shqipëri që ka qenë diktatura më e tmerrshme në krahasim me vendet e tjera komuniste. Duhet t’ua transmetojmë edhe brezave tjerë, ta dijnë brezat e ardhshëm se çfarë është komunizmi që të mos ndodhë më në të ardhmen“, thotë Tasim Ruko, i degës së organizatës “Vatra” në Tampa, Florida.

Fondacioni i Memorialit të Viktimave të Komunizmit organizon çdo vit një ceremoni të tillë ku nderon figura të njohura të kohës.