BE gati planet për fuqizimin e rolit të saj në botë

Bashkimi Europian kërkon të rrisë ndikimin e tij në botë në 5 vitet e ardhshme e të luajë rolin e tij në formimin e të ardhmes globale. Kjo del nga strategjia e unionit deri në vitin 2024.

Bashkimi Europian “duhet të bëhet më i fuqishëm dhe më me vetëbesim”, thuhet në një dokument strategjik të BE, që e zotëron agjencia gjermane e lajmeve, dpa. Për këtë nevojiten “më shumë burime”, pra më shumë fonde. Edhe dera për anëtarë të rinj në BE do të mbetet e hapur.

Dokumenti 5-faqësh që do të paraqitet në samitin e BE javën e ardhshme e vazhdon në vijat themelore kursin e njohur politik të BE në politikën e jashtme. Nuk ka ndonjë ndërrim të dukshëm të tij apo iniciativa të reja. Ky dokument që do të diskutohet nga 28 vendet anëtare në ditët e ardhshme mund të plotësohet më tej.

BE të luajë rol në formimin e të ardhmes globale

Në politikën e jashtme BE kërkon që t’i përfaqësojë pozicionet e saj më më vendosmëri e më e unifikuar. Në mbrojtjen e klimës, pavarësisht protestave të të rinjve dhe debateve në fushatën zgjedhore europiane, BE nuk paraqet ndonjë objektiv konkret. Dokumenti i referohet marrëveshjes për klimën e arritur në vitin 2015. Megjithatë thuhet aty “BE nuk mund të veprojë vetëm: të gjitha vendet duhet të ecin përpara e të bëjnë më shumë për mbrojtjen e saj”.

Për “forcimin e bazës ekonomike”, ky draft i BE kërkon transformimin digjital të ekonomisë dhe “një politikë industriale ambicioze, të zgjeruar, dhe të koordinuar.” Lidhur me temën e rëndësishme të “mbrojtjes së qytetarëve dhe lirive”, dokumenti thekson kontrollin efektiv të kufijve të jashtëm të BE dhe luftën kundër migracionit ilegal. Ndërsa lidhur me temën që sjell grindje të vazhdueshme në BE thuhet vetëm se “jemi të vendosur të gjejmë një rrugëzgjidhje në politikën e brendshme të migrimit dhe azilit.

BE kërkon të ndikojë në botën globale. Për këtë në dokumentin strategjik theksohet, se “në një botë gjithnjë e më të pasigurtë e komplekse”, BE duhet të ndihmojë në formimin e të ardhmes globale.” Ajo duhet të angazhohet për multilateralizmin dhe rendin botëror të bazuar në rregulla, e të kthehet në frymëzim për të tjerët.

 

la/wa/gri(dpa)