NATO-ja e respekton plotësisht politikën e neutralitetit të Serbisë, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë për gazetën beogradase “Politika”.

Megjithatë, ai tha se partneriteti i aleancës me Serbinë është i mirë për vetë Serbinë, për Ballkanin Perëndimor dhe për NATO-n.

Stoltenberg tha se bashkëpunimi i ardhshëm i NATO-s me Serbinë do të zhvillohet nga reforma e sektorit të sigurisë deri te ndihma në rast të fatkeqësive dhe asgjësimi i municioneve të tepërta.

Ai kujtoi se në tetor të vitit të kaluar, Serbia ka organizuar një stërvitje civile emergjente, të quajtur “Serbia 2018”.

“Ky ushtrim i ka ndihmuar aleatët e NATO-s, si dhe Serbinë dhe partnerët e tjerë, që të bëhen më të përgatitur për të vepruar në rast të fatkeqësive natyrore, siç janë përmbytjet dhe tërmetet”, tha Stoltenberg.

Ai nënvizoi se e di se në Serbi, referimi ndaj NATO-s vazhdon të nxisë kundërthënie dhe kujtime të bombardimeve të vitit 1999.

Atëbotë, NATO-ja ka bombarduar caqet e ushtrisë serbe për të ndalur dhunën e regjimit serb në Kosovë.

Duke folur për gazetën “Politika”, Stoltenberg tha se motivi kryesor i ndërhyrjes së NATO-s, njëzet vjet më parë, ka qenë ndalimi i katastrofës humanitare në Kosovë.

Please follow and like us: