Muhamed Ali mahniti botën si kampion i boksit dhe veprimtar politik. Pasi vdiq në vitin 2016, qyteti i tij, Luivill në Kentaki, po e kujton atë duke i dhënë aeroportit emrin e tij. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Alam Burhanan njofton nga Luivill i Kentakit:

Thuhet se Muhamed Ali nuk i trembej asnjë boksieri…por kishte diçka tjetër që e frikësonte:

“Mendoj sikur të prishet avioni dhe kur është duke rënë, mendoj: Po pse duhet të nxitoja. Mund të kisha marrë autobuzin. Zot i Madh, nëse nuk më ndodh gjë, herës tjetër do marr trenin”.

Frika e tij nga avionët ishte e njohur.

“Kishte frikë të merrte avionin, ishte një nga ato fobitë. Dhe nuk ishte frikë përballë kundërshtarut në boks. Kjo nuk diskutohet”, thotë miku i tij, Rudolph Davidson.

Si për ironi, emri i tij është tani pjesë e botës së aviacionit.

“Menduam se do të ishte një mesazh kuptimplotë për qytetin tone, sikur të thoshim: OK, Muhamed tani po i vëmë aeroportit emrin tend. Është koha të mos kesh më frikë të fluturosh”, thotë kryebashkiaku Greg Fischer.

Në janar, Bordi i Aeroporteve Rajonale të Luivillit miratoi riemërtimin e aerportit ndërkombëtar, duke i dhënë emrin e legjendës së këtij qyteti.

“U formua një komision. U takuam disa herë në një periudhë një vit e gjysëm. Dhe ndërsa diskutohej në këto takime, u pa qartë se nderimi i Muhamed Aliut, emërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar Muhamed Ali, ishte i vetmi që kishte kuptim”, thotë Dan Mann i Autoritetit të Aerporteve.

Muhamed Aliu ishte i njohur edhe për aktivizmin e tij. Ai u konvertua në mysliman dhe u dënua se nuk pranoi të shkonte ushtar në Vietnam. Presidenti i qendrës “Muhamed Ali”, Donald Lassere thotë se shpreson që emërtimi i aeroportit do ta nxjerrë edhe më shumë në pah trashëgiminë e tij.

“Duam që publiku ta kuptojë më mirë se pse ndryshuam emrin e aerportit, si edhe rëndësinë që ka kjo për qendrën ‘Muhamed Ali’, familjen, vendin dhe botën”.

Muhamed Ali u lind dhe u rrit në Luivill dhe u varros atje në vitin 2016. Ky qytet i Kentakit vazhdon ta nderojë njeriun që u bë një ikonë globale.

Please follow and like us: