Manchester City po provon të bllokojë çështjen që UEFA ka ndërmarrë kundër klubit për shkelje të supozuara të Fair Play-t Financiar, sipas Rob Harris, gazetar  i Associated Press.

Organizmi që drejton futbollin europian kërkon të ndëshkojë kampionët e Anglisë për shkeljen e rregullave mbi shpenzimet e bëra në merkato. Gjithsesi, Harris ka mësuar nga persona që e njohin këtë çështje se Manchester City ka kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) për të bllokuar procedurën.

Manchester City pretendon se nuk ekziston asnjë shkelje dhe se çështja nuk duhej të ishte kaluar për gjykim nga ana e UEFA-s. “Po injorohen provat e pakundërshtueshme që kemi paraqitur”, ka thënë klubi në ditët e kaluara.

Sipas disa dokumenteve të publikuara nga e përditshmja gjermane “Der Spiegel”, Manchester City ka anashkaluar rregullat e Fair Play-t Financiar, duke nënshkruar marrëveshje komerciale për shifra shumë të larta me kompani që kanë lidhje me pronarët e “Qytetarëve”.

Klubi i Premier League akuzohet se ka mashtruar për disa vite me radhë dhe përgjigjet e dhëna gjatë hetimit të zhvilluar nga UEFA nuk kanë qenë aspak bindëse.