Vitet e vështira të luftës. Djagia e Lepenicës nga partizanët.
Para se te hyjmë në paraqitjen e librit është e nevojëshme të bëjmë një hyrje, për të kuptuar rrjedhën e ngjarjeve të përshkruara në këtë libër.
Gjatë bisedave familjare prindërit tregonin edhe ngjarjet e kohës së luftës. Babai nga marsi i vitit 1943 deri në shkurt të vitit 1944 kishte qenë Kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar, që në atë kohë quhej Fronti. Më 5 nëntor 1943 forcat partizane sulmuan Lepenicën dhe Gjormin. Shumica e fshatarëve ballistë që i rezistuan me armë dhe luftuan kundër forcave partizane u larguan nga fshati për t’i shpëtuar ndëshkimit të partizanëve. Forcat partizane hynë në fshat dhe bënë debate me anëtarët e Këshillit dhe të Frontit, veçanërisht me babanë tim, që kundërshtuan raprezaljet në fshat dhe djegien e shtëpive. Por për komunistët kundërshtimi i babait tim dhe këshilltarëve të tjerë nuk kishte rëndësi. Komanda e Brigadës Pestë, që ishte në formim e sipër, dhe me ndihmën e disa partizanëve vendas dha urdhër të digjeshin 12 shtëpi të ballistëve, nga 40 shtëpi që kishte gjith fshati, duke lënë në mëshirë të fatit gra, pleq e fëmijë, në një dimër të egër, në erë suferinë dhe shi të pa shtershëm, pasi të rinjtë ishin arratisur.
Partizanët lanë pas mjerimin, muret e nxira të shtëpive, të rënuara, të braktisura. Kështu kanë qëndruar këto shtëpi deri aty nga viti 1968, kur qeveria komuniste i shtetëzoi me një vendim dhe gërmadhat, ato që nuk ishin pasuri e qeverisë ua falte familjeve të tjera fshtare për të ngritur shtëpit e tyre.
Familja që pësoi dëmet më të mëdha qe familja e Memishahe, familja e Qemal Hoxhës. Shtëpitë e tyre nuk më harrohen. Ishin shtëpi të larta dy e tre kate me qoshe e dritare të skalitura me tavan e dysheme prej dërras druri, me oborr të madh shtruar kalldrëm, me porta të mëdha të skalitura e të zbukuruara e me sofa.
Kjo familje e madhe me njerës të shkolluar, të pasuruar me punë e dituri me ardhjen në fuqi të komunistëve u persekutua egërsisht. Në këto kushte e rrethana Qemal Hoxha në një moshë të re, plot ëndërra e dëshira rinie, u detyrua të merrte arratinë dhe të dilte në botën e lirë.
Në operacionin e dimrit okupatorët, të zemëruar egërsisht nga dështimi i fazës së parë të Operacionit të Dimrit, ndërmorën me ashpërsinë më të madhe disa fazat të këtij operacioni barbar: fazën e dytë (29 janar-6 shkurt), fazën e tretë (6-14 shkurt) dhe fazën e katërt (4-12 prill). Qëllimi final i forcave gjermane ishte asgjësimi i Luftës Nacionalçlirimtare.
Gjatë këtij operacioni ne na dogjën shtëpinë me gjith plaçkë brenda dhe familja mbeti në mes të katër udheve, pa bukë, pa shtroje e mbulojë, pa tesha trupi… Kjo ndodhte sepse qemë bazë e Luftës Antifashiste dhe babi ishte Kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar. Babai, pa të drejtë, u akuzua se kishte lejuar djegien e 12 shtëpive në fshat nga forcat partizane dhe u dënua me vdekje. Në këto kushte të mundimëshme familja jonë u detyrua të largohej nga fshati dhe të vendosej në Drashovicë, tek disa miq tanët deri në vitin 1946. Pas këtij viti u vendosëm në Petë të Mavrovës, afër fshatit Hysoverdh ku ishte edhe shkolla. Këtu u lidhëm me Qemal Lepenicën dhe e ndihmuam atë në mes fukarallëkut dhe vuajtjeve tona. Kaluan vitet dhe në vitin 1959 ne u kthyem në Lepenicë.
Jeta dhe veprimtaria atdhetare e Qemal Lepenicës, sipas Enver Memishajt
E lexova me shume dëshëri këtë monografi të shkruar plot kujdes e dashuri për një nga bijtë e vendlindjes sonë Lepenicës. Jo thjesht për një kureshtje por sepse në një mënyrë ose në një tjetër jemi të lidhur me të shkuarën, të njohim të vërtetën pa lustra e zbukurime. E shkuara e vendit tonë duhet të njihet ashtu siç ka qenë me të mirat dhe të këqijat e saj për të kuptuar se sa padrejtësisht janë deformuar ngjarjet, janë denigruar, mohuar e falsifikuar shumë figura, kontributi e vlera e tyre.
Një nga këto figura ka qenë edhe Qemal Lepenica ky pinjoll i familjes së madhe të Memishahajve të Lepenicës. Një familje patriotike që kontriboi aq shumë në luftën e vitit 1920 kundët pushtuesit italian, për çlirimin e Vlorës dhe ndërtimin e shtetit shqiptar me djem të shkolluar e patriot duke shërbyer si nëpunës të lartë plot dinjitet e përkushtim.
Po ashtu gjatë Luftës Antifashiste, familja e Memishahajve edhe sipas historianëve komunist, ka qenë një nga bazat e para të luftës në krahinë, por pas kësaj lufte kontributi saj jo vetëm do të harrohej por edhe do të falsifikohej e denigrohej.
Me Memishahaj kemi shumë lidhje të afërta dhe të largëta, por kur këto lidhje ngrihen në nivel besimi e mirëkuptimi marrin një kuptim e vlerë të veçantë prandaj në shenjë vlerësimi për figurën e Qemal Lepenicës dhe autorit të respektuar të këtij libri z. Enver Memishaj, po shpreh mendimet e mia modeste.
Zoti Enver Memishaj meriton respekt të madh për punën e palodhur, plot kurajo guxim, kopetence e vendosmëri që po bën për të nxjerrë në dritë të vërtetën për të shkuarën që na është servirur e një anëshme për një kohë të gjatë. Janë mohuar vlerat, njerëzit, faktet, kontributet, jo vetëm kaq por si kudo edhe në fshatin tone janë shpallur fajtor e armiq shumë bashkëfshatar jo se s’kanë dashur atdheun por kanë menduar e kërkuar zgjidhje të tjera për të mos qenë robër të ideologjisë komuniste.
I tillë ka qenë edhe Qemal Lepenica, personazhi i librit me të njëjtin titull. Ai për t’i shpëtuar kësaj së keqe u detyrua të braktis gjithçka duke u arratisur por pa harruar për asnjë çast atdheun e tij të dashur.
Qemal Lepenica zinte një vend të veçant në kujtimet e prindërve të mi, kujtime me të cilat më njohën edhe mua pas vitit 1960. Kështu që Qemali sado i panjohur fizikisht prej meje u ravijëzua në mëndjen time si një djalë i ri që kontriboi sa e si mundi për luftën dhe për liri dhe demokraci për atdheun e tij. Por ajo që më bënte ta mendoja shpesh këtë njeri ishin disa momente që kishin mbetur në kujtesën time nga prindërit e që po i përmënd në këtë shkrim:
Me familjen e madhe të Memishahe, familjen tonë e lidhin jo vetëm të qenit nga një fshat por edhe një lidhje miqësie, mik me dëshirë, sepse babi im ishte kumërt në këtë familje dhe kishim me ta vajte e ardhje dhe veç kësaj xhaxhai i Qemalit, Xhelal Hoxha kishte bashkëshorte Refon që ishte nga Tërbaçi kushrira e parë e nënës time.
Kjo lidhje bënte që në vitin 1950 kur Qemali ishte mësues në Hysoverdh të dielave që e kishte pushim vinte në konakun tonë të vogël në Petë të Mavrovës. Nëna ime e priste me dashuri i lante dhe i hekuroste rrobat dhe pasdite ai kthehej në Hysoverdh.
Shpesh herë, në çantën e vëllait tim të madh që shkonte në shkolië, në Hysoverdh, nëna fuste kulaç gruri, petulla, byrek, djath, gjalp, vezë të ziera etj., të mbështjella me kujdes me një pecetë të bardhe, për mësues Qemalin, si bir i familjes sonë. Por ajo që më bënte përshtypje ishte porosia e babait për vëllanë që kur t’ia jepte këto gjera mësues Qemalit duhet të ishte vetëm, të mos binte në sy të të tjerëve.
Momenti tjetër që më kujtohet është se pas mbarimit të mësimeve në vitin shkollor 1949 – 1950 kur Qemali do ikte për në Vlorë, ai erdhi në konakun tonë dhe u përshëndet e u nda me prindërit e mi. Pas kësaj ndarje në kujtesën time kanë mbetur tregimet e babait tonë: Konaku jonë në mes të qershorit e deri në mes të korrikut rrethohej e vëzhgohej nga forcat ushtarake të ndjekjes dhe të policisë. Prindërit nuk arrinin të kuptonin se përse vëzhgoheshin nga policia? Shumë vonë arritën të merrnin vesh se Qemal Lepenica ishte arratisur.
Babai tregon se natën konaku ynë rrethohej nga forcat e ndjekjes në pritje për të kapur Qemalin e arratisur. Një natë, thoshte babai, qente lehnin dhe më zgjuan nga gjumi, të lehura të zhurmshme dhe të pandërprera. Dola, ishte natë dhe nuk mund të shikoje shumë larg. Mora një spatë që mbaja pas derës dhe bëra tutje, pas qenëve të cilët e shtuan lehjen ku panë të zotin. U ktheva pas kasolles së bagëtivë duke menduar për ndonjë hajdut e po vështroja andej nga ishin qentë. Në krah të sipërm të konakut tonë ishte një kodër e vogël. Atje dallova tre veta të armatosur që lëvizën. U fola të qëndronin, por ata nuk më kthyen përgjigje. I çuditur u ktheva në konak duke vrarë mëndjen për çka më ndodhi.
Pas një jave, thoshte babai, morëm vesh se Qemal Hoxha që më pas do të quhej Qemal Lepenica ishte arratisur. Në një bisedë me Kryetarin e Këshillit të Hysoverdhit të cilin ne e kishim komshi, ai i tregoi babait se për një muaj konaku jonë kishte qenë çdo natë i rrethuar nga forcat e ndjekjes.
* * *
Autori i librit, z. Enver Memishaj si intelektuali i dalluar i fshatit tonë, ka bërë një punë të lavdërueshme për të hedhur dritë mbi ngjarjet historike të mbuluara me harresë qëllimisht, për të nxjerrë në dritë personalitete të shquara atdhetare si Ahmet Lepenica, Hysni Lepenica, Fejzo Lepenica etj.
Duke lexuar të njëzet e tre librat e tij historike të vlerësuara nga personalitete e shquara të kulturës shqiptare, akademikë e profesor, sheh se ato libra janë shkruar me dashuri të madhe për atdheun dhe vendlindjen e tij, Lepenicën. Ato janë shkruar me vullnet, kurajo e guxim e mbi të gjitha me përkushtim për të ndriçuar historinë tonë të falsifikuar nga diktatorët komunistë.
Të indinjon fakti nga ndonjë komunist apo anlafabet që pa lexuar asnjë libër të tij marrin guximin dhe e kritikojnë atë. Par kritikës këta mbetje të diktaturës komuniste le të pyesin veten: Kush janë ata dhe çfar kanë bërë për të nxjerrë në dritë krimet, dhunën dhe terrorin komunist.
Libri “Qemal Lepenica…” që më na ka dhuruar z. Enver Memishaj është shkruar me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme për cilindo. Monografia bazohet në dokumente arkivor dhe jo në fjalë. Autori me anë të këtij libri na hap syte për të parë ngjarjet siç kanë qenë, me vërtetësi dhe me përfundime logjike. Një nga përfundimet e këtij libri është se Luftën Antifashiste e bëri populli i udhëhequr nga bijtë më të mirë të tij e jo një grup, që pas lufte mori karriket e pushtetit dhe ushtroi mbi popullin një diktaturë të egër. Komunistët hodhën pa pushim baltë, mbi shumë patriot, e familje patriotike që kontribuan shumë në luftë dhe në kohë paqje. Atyre ju mohuan të drejtat elementare njerzore, u burgosën, u internuam apo u shkuan në plumb, vetëm se ishin kundërshtarë të diktaturës komuniste dhe ëndërronin për një demokraci si vendet europiane.
Në një mënyrë a në një tjetër, kishte apo s’kishe mbi shpinë akuza, mjaftonte që ishe nga Lepenica dhe të ndiqte kudo përbuzja dhe diskriminimi. Qënia nga Lepenica, pra ballistë, sipas komunistëve ishte një njollë e zezë në biografinë tëndë!!! Edhe unë vetë kudo ku kam punuar si mësues në fshtrat e Shqipërisë që nga Skrapari më ka shoqëruar kudo njolla e zezë e biografisë!
* * *
Autori kaditur që nëpërmjet personazhit të Qemal Lepenicës të tregoi historinë, ngjarjet që influencuan jo vetëm në jetën e një njeriu e të një familje por të një kombi të tërë. Autori ka ditur të japë portretin dhe veprimtarinë e Qemal lepenicës, si veteran i Luftës Antifashiste i inkuadruar në çetën “Shqiponja” të Hysni Lepenicës, si mësues, si emigrant në botën e lirë dhe qëndrestar e luftëtar kundër diktaturës komuniste, por edhe si atdhetar e njeri me botë të gjerë shpirtërore duke ndihmuar emigrantët shqiptar në Amerikë gjatë gjith jetës së tij. Kthimi i Qemalit në atdhe pas 43 vjetësh emigrimi, është përshkruar me emocione nga autori. Babanë dhe shumë të afërm të familjes Qemali nuk i gjeti gjallë. Qemali është përshkruar se deri në fund të jetës së tij ai mendoi për atdheun e tij, për lirinë dhe demokracinë e vendit të tij.
Në libër ka edhe përsëritje që autori mund t’i shmangte duke qenë më i kujdesëshëm dhe ndonjë të metë tjetër, por nëpërgjithësi libri “Qemal Lepenica…” na sjell vlera të reja për ngjarjet që trajton, për personazhet dhe për familjet që përmenden në këtë libër, ashtu si të gjith librat e këtij autori.
E rëndësihme është fakti se autori nëpërmjet jetës së një njeriu, Qemal Lepenicës, tregon historinë tonë të dhimbshme.
Libri paraqet interes për lexuesin e gjerë, sepse flet për jetën e individit në diktaturën komuniste dhe se ky individ, kur del në botën e lirë shpalos vlerët atdhetare dhe njerëzore. Libri është një kontribut për të mirën e këtij vendi, sepse nuk bëhet fjalë për një individ por për ngjarje gjithpërfshirëse dhe se ky vend nuk mund të bëhet nga parimi komunist se një pjesë janë patriot dhe pjesa tjetër janë armiq të popullit!
Zoti Enver Memishaj, mbështetur në parime shkencore të të shkruarit e historisë me përkushtim me kurajo e me guxim me dokumente e argumenta logjikë ka arritur të afirmohet si historian duke nxjerrë vlerat atdhetare e patriotike të shumë ngjarjeve historike e personazheve historik, kështu duke lartësuar edhe prejardhjen patriotike të familjes dhe fisit të tij.
Ne bashkëfshatrët e tij i jemi mirënjohës për gjithëçka që ka bërë për vendlindjen tonë, për bijtë e shquar të Lepenicës si Ahmet Lepenica, Hysni Leenica, Fejzo lepenica e tani së fundi Qemal Lepenica etj.
Të gjitha veprat dhe shkrimet e shumta të z. Enver Memishaj karakterizohen e dallohen nga shkrime mbi bazën e dokumenteve, nga kultura e gjerë e autorit, nga njohuritë e shumta të tij.
Së fundi libri “Qemal Lepenica…”, më bën të kuptoj sot më shumë se kurrë rapsodin popullor Mato Hasani nga Brataj. Ditën e votimeve më 2 dhjetor 1945, ai ndodhej në Lepenicë, iu lutën të merrte një valle dhe ai e mori duke kënduar:
Seç m’u lunë vallen ta nis,
Po nuk di si ta bitis,
Neve s’na duhen partitë,
Ca ballistë ca komunistë,
Jemi vëllezër të gjithë,
Për të mirë të Shqipërisë…
E uroj z. Enver Memishaj për vepra të tjera më të mira.
Vlorë 1977. Plan masash i Sigurimit të Shtetit në ndjekje të Qemal Lepenicës.