Kur vizitori shkon në Lurë gjen një ftesë për ta zbuluar Krahinën dhe, sado të përpiqesh, nuk do ta marrësh të gjithë përgjigjen, sepse Lura është e vendosur në lartësi, në vende ku shihet shumë qiell, ku shihet shumë diell, ku ka shumë ujë, shumë liqene piktoreske, kulla të bardha me çati të kuqe dhe njerëz trima, bujarë dhe të mençur. Pyetja e parë që të vjen ndërmend është pse: Pse Lura është kaq e bukur, kaq e madhërishme dhe kaq krenare me natyrën dhe njerëzit e vet?
Lura vjen e plotë në histori qëkur krijuesi e formoi këtë vend të bekuar, me rrënoja të periudhave të ndryshme historike, qyteza, kala dhe tash kulla, me një histori mbresëlënëse që fillon me ilirët. Vetë Lura, sipas specialistëve të gjuhësisë është trajta e ndryshuar e emrit “Iliria”, që ka kaluar në Illuria – Luria dhe tash Lura. Sipas legjendave të ruajtura mrekullisht në këtë truall dhe të mishëruara në toponime të shumta ishte një nga vendqëndrimet e Skënderbeut, pastaj kalaja natyrore e popullsive të pabindura arbëre që u mblodhën prej të gjitha anëve dhe u ngjitën në Lurë për të jetuar arbërisht.
Lurasit janë egoistë prej natyre. Jetesa në lartësi, hapësirat e gjëra të shikimit dhe sidomos vështrimi nga lart poshtë që u bëjnë vendbanimeve të tjera, ka bërë që ata ta mbajnë veten shumë lart. Ky vetëvlerësim ka shkuar deri aty sa konkurenca e brendëshme për pushtet, autoritet dhe emër të shkojë deri në egoizëm, ndonjëherë të tepruar. Këtë e vëren dhe çdo lexues që merr në dorë librat e shkruara në këto vite për Lurën, ku në ndonjërin prej tyre e gjen Nënkryetarin e Qeverisë së Vlorës, diku në mes të krerëve tradicionalë dhe luftëtarëve luras që e patën të fortë krismën e pushkës apo peshën e fjalës, por emri u mbeti këtej midis këtyre maleve dhe nuk vajti më tej, ndërkohë që Imzotin e shquar e njohu krejt elita politike ballkanase, e më tej deri në Vjenë, apo kur shohim në histori raste të kontestimeve reciproke të pushtetit, që familjet e ndryshme prijëse të Lurës i kanë bërë njëra-tjetrës.
Në bisedë me Osman Vladin, mësuesin dhe drejtorin e mirënjohur të shkollës Arrmallë, që ia kushtoi të gjithë jetën aktive arsimit në vendlindje, mësojmë se “në Lurë ka zabitllarë, se Doçi qe njohur nga Stambolli si “zabit”; bajraktarë se Lura është bajrak me Menën derë flamuri; pashallarë, se Ajazët janë dajtë e Prengë Pashës së Mirditës; ka gjyqtar me Vladin, ku përmendet i shquari Musë Osmani”. Kush është i parë e pyes unë me shaka? Vërtetë pyetje e vështirë se në Lurë ka shumë histori, protagonistë dhe protagonizëm. Por Lura ka dhe një Derë tjetër; Lura ka dhe bujarë me Shpinë e Madhe të Preng Mark Rajtës.
Në Lurë kontestohet paria në mes të disa shpive të para, por nuk kontestohet mençuria dhe as bujaria. Për parinë kanë qenë në konkurencë Doçi dhe Mena, deri diku dhe Ajazi, ndërsa për mençurinë është vendosur me mendim unanim, të legjitimuar nëpër odat luriane. Përmendet Bibë Doçi që kishte dhe parinë, dhe pas tij del në krye të pleqnive Musë Osmani i Vladit për t’u pasuar nga i famshmi Ibrahim Gjoçi e në fund, i paharruari Llesh Zef Doçi. Kur nuk nxirrnin gjyqtar siç i meritonte Lura, shtëpitë e para ua lëshonin vendin të tjerave, prandaj Musë Osmani dhe Ibrahim Gjoçi, pa qenë pari u njohën si “sovranë” për pleqnime Lure.
Ndërsa bujaria në Lurë është për derë, por gjithësesi ishte e kushtëzuar nga pasuria, prandaj këtë kurorë Lure e mbajti vazhdimisht Dera e Prengë Mark Rajtës, një traditë që u përcoll ndër breza dhe vjen e pacënuar deri në ditët e sotme. Siç duket, fukarallëku ishte i madh, nevoja për shtëpi mikpritëse ishte gjithashtu e madhe, në Lurën që nuk pranonte të ngrinte hane, se e quante dhunim të traditës. Rruga e madhe i binte Krahinës përmes dhe grupe njerëzish që udhëtonin natën e ditën, në shi dhe në borë, kishin nevojë për ndihmë, që lurasit e dhanë me të gjithë forcën e shpirtit. Këtë detyrë që gjeografia e saj ia kishte ngarkuar Lurës, e kreu çdo derë luriane brenda mundësive të veta dhe meqenëse I pati mundësitë më të mëdha, në krye të dyerve mikpritëse u rrjeshtua Dera e Prengë Mark Rajtës në Krej – Lurë. Nuk bëhej fjalë vetëm për pritje protokollare të burrave të Dheut: Bajram Currit, Prengë Bibë Dodës, Elez Isufit, etj, por edhe të miqëve, të njohurve, të panjohurve, ndër ta dhe hallexhinj. Nevojat e udhëtarëve ishin të ndryshme, që nga dëshira për të kaluar disa orë muhabet burrash deri te domosdoshmëria për të shpëtuar shpirtin gjallë në netët me borë dhe furtunë.
Emri “Shpia e Madhe” që Dera e Prengë Mark Rajtës mori pagëzim prej Lurës bujare u shpërnda në të gjithë vendin, kryesisht në Gegëri ç’merr prej Shkumbini e deri në rrjedhën e Drinit të Bardhë pranë Prizrenit, ku shkonin e vinin karvanet e tregtarëve prej Elbasani, Kavaje, Durrësi, Tirane, Kruje, Mirdite për Prizren dhe anasjelltas, prej Rrafshit të Dukagjnit në këto qytete. Ai vlerësim nuk humbi rrugëtimit të kohës dhe Shpia e Madhe deri në brezim më të ri po pret e përcjell, sipas traditës së vet disashekullore.
Pasardhësit e Prengë Mark Rajtës janë qytetarë me kulturë dhe modestë, të disiplinuar dhe puntorë, të dhënë pas të resë dhe të lidhur fort me traditën. Prej tyre mund të mësosh shumë gjëra për Lurën dhe Dibrën, ndërsa për vete flasin pak. Por flasin vetë emërtimet “Shpi e Madhe”, “Kulla e Madhe” dhe “Varri i Madh”, tri kurora Lure të lidhura në një gjerdan mirënjohje për Rajtat. Të tria pjesë të pashkëputura, se pa qenë Shpi e madhe, nuk do të kishin Kullën e Madhe; pa patur atë “kullë-rezidencë princërore”, nuk do të kishte dhe “varr princëror” për stërgjyshin Prengë. Rajtët sot i kanë dhënë Lurës tri simbole, që duhet t’i njohësh kur të shkelësh mbi dhé Lure: mikpritjen e Derës së Rajtës, Kullën e Madhe të Prengë Mark Rajtës dhe Varrin e Madh të tij. Lura ua ka njohur Rajtave fisnikërinë. Dhe kur flet Lura, ne duhet të heshtim dhe të dëgjojmë zërin e saj.