Ah, për një tango
Do i bëja degët e pishave kitara, mandolin
Do i bëja shkarpat e thata flaute e violina.
Do i bëja mollët kuti të rralla parfumi
Do i thoja qepallave të ndaheshin prej gjumi!
Do e bëja dëborën livadh me luledele
Do i thoja zambakut të më jepte përkëdhelje.
Do i jepja hapave busull të pagabuar
Kroje të rinj të dilnin në udhën e gurëzuar.
Ah, për një tango!
Do vrapoja këmbëzbathur në gremina
Në tjegulla çatishë të këpusja trendëlina.
Me fyejt e gjyshërve të zgjoja mëngjese
Në pasqyrat e thyera të shihje shatërvanë me rreze.
E sërish para syve të tu, të ngrohtë të mikes
Të bëhem ketër e zgalem krahëhapur në brigje.
E sërish para syve të mikes të puth qiellin dhe detin
Dhe malet, dhe lulet, e gjethet të heshtin.
.. Gurët të flasim me belbëzimin e foshnjës
Të dridhen kokërrzat e dheut
Ah, për një tango, gjuhët të vihen në ballin e sofrës