Sergio Aguero, ylli i Manchester City-t, ka një ide të qartë në lidhje me kriterin që duhet të plotësojë fituesi i ardhshëm i Topit të Artë. Sipas argjentinasit, pasardhësi i Luka Modric duhet të dalë nga dy skuadrat finaliste të Champions League. “Mendoj se fituesi i Topit të Artë duhet të ketë marrë pjesë patjetër në finalen e Champions-it”, ka thënë “Kun”.

Me pak fjalë, një lojtarë i Liverpool-it ose i Tottenham-it. Me këto fjalë, Aguero ka përjashtuar nga gara Leo Messi-n dhe Cristiano Ronaldo-n, ashtu si veten e tij dhe shokët e skuadrës së City-t.

Cilët janë favoritët për ta fituar trofeun prestigjioz, nëse bazohemi te kriteri i argjentinasit? Te Liverpool ka dy emra mbi të gjithë: Mohamed Salah, golashënues më i mirë (bashkë me Mane dhe Aubameyang) në Premier League për vitin e dytë radhazi, dhe Virgil van Dijk, i zgjedhur nga kolegët si lojtari më  i mirë i këtij sezoni në Premier League.

Holandezi ka një as nën mëngë, sepse mund të fitojë edhe Nations League me kombëtaren e tij. E njëjta gjë vlen edhe për sulmuesin e Tottenham, Harry Kane. Anglezi ka munguar në gjysmëfinale, por mund të kthehet në fushë për finalen e madhe dhe të udhëheqë “Tre Luanët” drejt suksesit në Nations League.

A do të ketë të drejtë Aguero? Ku i dihet. Sigurisht, “Pleshti” dhe CR7 nuk do të jenë aspak të lumtur me deklaratën e tij.