Kryeqyteti ngjyroset me “të kuqe”! Triumfi 2-1 i Partizanit ndaj Tiranës në superndeshjen e javës së 33-të të Kategorisë Superiore për sezonin 2018-2019 zyrtarizoi njëkohësisht edhe titullin kampion për “Demat e kuq”, që rikthehen kështu t’i gëzohen një trofeu pas 26 vitesh.

Dygolëshi i shënuar nga Cinari, që tronditi rrjetën e bardhebluve një herë në pjesën e parë dhe një herë në të dytën, pavarësisht se Tirana barazoi përkohësisht në fundin e 45-minutëshit të parë me anë të Grecës, bëri që duelin kryeqytetas ta fitonin “të kuqtë” dhe njëkohësisht të kurorëzoheshin kampionë të futbollit shqiptar.