Paris Saint Germain nuk do të rinovojë kontratën me portierin Gianluigi Buffon. Lajmin e konfirmon e përditshmja gjermane “Bild”, sipas së cilës klubi francez ka vendosur të rikthejë në skuadër portierin Kevin Trapp, aktualisht i huazuar te Eintracht Frankfurt.

Portieri italian një vit më parë kaloi nga Juventusi te PSG-ja, duke firmosur një kontratë 1-vjeçare me opsion për rinovimin edhe për një vit. Gjithsesi, duket se klubi parizien nuk pa ndonjë ndryshim në madh në rezultate edhe pse në portë ishte një legjendë e futbollit.

Për këtë arsye, duke parë edhe moshën e Buffon, 41 vjeç, klubi ka vendosur të mos i rinovojë kontratën portierit kampion bote me Italinë. Nga ana tjetër, te PSG-ja do të rikthehet Kevin Trapp, 28 vjeç.

Portieri gjerman është ende në pronësi të PSG-së, që në këtë mënyrë nuk ka nevojë të shpenzojë për të blerë një portier tjetër. Paris Saint Germain do të rikthejë Kevin Trapp, që me fanellën e këtij ekipi ka luajtur 63 ndeshje.