(Kushtuar Dëshmorit të Kombit, Bylbyl Breçani, me rastin e 20-Vjetorit të rënies, më 25 qershor 1999)

…Malësia e Gjakovës (Tropoja) gjithmonë, në të gjitha luftërat dhe përpjekjet për liri e bashkim kombëtar, ka qënë e lidhur me fatet e popullit shqiptar të Kosovës. Në këtë rrugëtim historik u shënuan dhe mbeten në altar të nderit figura të shquara nga Malësia e Gjakovës si drejtues e luftëtarë në beteja historike dhe në kuvende të mëdha, ku përcaktoheshin fatet e Kombit. Mbeten në memorien e brezave figura të tilla si: Mic Sokoli, Ali Ibra, Binak Alia, Shaban Binaku, Abdullah Hoxha, Haxhi Zeka, Col Delia etj. Por edhe lufta e fundit në Kosovë, lufta e UÇK-së evidentoi emra të tjerë luftëtarësh-dëshmorë që e  vaditën tokën e Kosovës me gjak dhe po ashtu prehen në këtë truall shqiptar si flamuj lirie e bashkimi. Ata janë dëshmorë kombi që mbeten në përjetësi. Ata janë: Tahir Sinani,Adem Selmani, Arif Dautaj, Fatmir Hasandoçi, Hazir Malaj, Mehmet Dezdari, Qazim Dautaj, Ramiz Memiaj, Tahir Memiaj, Xhevahir Selmani dhe Bylbyl Breçani, që është kryefjala e këtij shkrimi…

…100 vjet guri i zi

Na ndau zemren me kufi…

 

Vargjet e Hamit Aliajt, muzika e Kolë Susajt dhe zëri-piskamë i Fatmira Breçanit, e kanë himnizuar portretin e Dëshmorit Bylbyl Hazir Breçanit.

Bylbyli lindi në fshatin Markaj të Tropojës, më 13 maj 1974. Trualli i tij kishte mëkuar tek ai patriotizëm në breza. Gjyshi i tij kishte luftuar përkrah Bajram Currit, ndërsa dy xhaxhallarët Cen Selimi e Shaban Sadiku u rreshtuan në rradhët e Ushtrisë Shqiptare në luftë kundër nazifashisteve.

Prindërit e Bylbylit, Haziri e Kajda, kishin shtatë fëmijë, 4 djemë e 3 vajza. Nga katër vëllezërit Bylbyli ishte i treti. Në odën malësore ai kishte dëgjuar gjithmonë ngjarje historike, e më së shumti luftërat për çlirimin e Kosovës e bashkimin  e saj me Shqipëerinë.

Bylbyli arsimin tetëvjeçar e kreu në vendlindjen e tij në Markaj, ndërsa sherbimin ushtarak e kreu në Pukë fillimisht, pastaj u specializua për raketa në Tiranë e pastaj u transferua në Kukës dhe me 1995 kryen shërbimin ushtarak….Kishte filluar organizimi i UCK-së dhe Malësia e Gjakovës ishte vendi i përgatitjes së luftëtarëve e drejtuesve të saj, ishte vendi i furnizimit me armë dhe ishte streha vllazërore që do të strehonte popullsinë shqiptare të Kosovës të shpërngulur me forcë nga makina ushtarake serbe. Një nga vendet ku kryhej përgatitja për ushtarët e UÇK-së ishte edhe Breçani. Aty tek tunelet e Breçanit, Bylbyl Breçani tashmë në moshën 25 vjeçare në shkurt të vitit 1999 takohet me Ilir Kanushevcin e Adrian Krasniqin dhe vullnetarisht organizohet në UÇK në Brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare.

Bashkë me eprorët, Rrustem Berisha e Hysen Berisha, mori pjesë në thyerjen e kufirit mes shqiptarëve, një betejë kjo legjendare, ku Bylbyl Breçani mes breshërisë së plumbave të serbëve ngriti Flamurin në posten e Kamenicës në Koshare.

Në periudhen kohore shkurt-qershor 1999 pjesëmarrja e tij në luftime ishte shumë e gjerë, nga Juniku në Deçan, nga Rrasa e Zogut në Koshare, nga Isniqi në Pejë.

Kështu shumë shpejt Bylbyli i bë i njohur dhe i vlerësuar nga bashkëluftëtarët dhe eprorët e tij. Ai nuk mbeti vetëm një ushtar i thjeshtë, por edhe një drejtues i denjë. Komandanti i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Rrustem Berisha, thoshte se: “Bylbylin e kam krahun e djathtë, se janë këta Bylbyla që na e prunë lirinë dhe e naltësuen Shqipërinë”. Ndërsa Hysen Berisha thoshte se Bylbyli ishte i papërmbajtur, nuk pyeste për plumbat serbë, e sado e këshillonim që të kishte kujdes, si thoshte që, “unë e kam realizuar planin, le të ndodhë çka të donë…”.

25 qershor 1999…Bylbyl Breçani niset me disa shokë për të nxjerrë dy luftëtarë kosovarë të mbetur në fushën e luftës dhe kishin mbetur pa u varrosur. Në këtë aksion të guximshem ai bie në minat e vendit të minuar nga ushtria serbe në vendin e quajtur Shkozë e Mulliqit në Koshare dhe jep jetën bashkë me Ali Fejzullahun nga Mitrovica dhe plagoset Isuf Mulliqi. Kështu e mbylli jetën me lavdi të plotë Bylbyl Breçani.

Ai u varros me nderimet më të mëdha nga populli i Tropojës dhe bashkëluftetarët e tij të UÇKsë që e përcollen  nën breshërinë e armëve. Eshtrat e tij tani prehen atje në Memorialin e Koshares në tokën ku derdhi gjakun.

Bylbyl Breçani u shpall “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 23, dt. 27.03.2004, të Komisionit Qendror për Statusin “Dëshmorët e Atdheut”. Shkolla në fshatin e tij të lindjes në Markaj mban emrin “Bylbyl Breçani”, është  “Qytetar Nderi” i Komunës Bujan.

Më 4 qershor 2018 Bashkia Tropojë, me rastin e 20 vjetorit të Eksodit të Popullit Shqiptar të Kosovës për në Tropojë i akordoi Bylbyl Breçanit titullin  “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) bashkë me heronjtë e tjerë të Luftës së Kosovës: Tahir Sinani, Agim Ramadani, Sali Çekaj si e Daut Haradinaj, Rrustem Berisha e Hisen Berisha.

Për Dëeshmorin e Kombit, Bylbyl Breçanin, janë thurur mjaft poezi e këngë, sepse ai ishte Bylbyli që këndoi këngën më të bukur për lirinë e Kosovës e Bashkimin Kombëtar të Shqipërisë.