Ballina Aktualitet Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi: Në Berlin do të diskutohet për mundësinë...

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi: Në Berlin do të diskutohet për mundësinë e vazhdimit të dialogut

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se gjatë samitit në Berlin, që pritet të mbahet të hënën, do të bisedohet për mundësinë e vazhdimin e dialogut me Serbinë, që sipas tij, duhet të përmbyllet me një marrëveshje përfundimtare, që do të sjellë stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti Thaçi, së bashku me kryeministrin Ramush Haradinaj, me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, do të marrin pjesë të hënë në samitin e Berlinit.

Thaçi thotë se në Berlin nuk pritet të nisë ndonjë proces i ri.

“Në takim theks i veçantë do t’i jepet mundësisë së vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, që do të sjellë stabilitet edhe më të madh në Ballkanin Perëndimor. Takimi i Berlinit nuk do të sjellë një proces të ri, por do të kërkohen mundësi për zgjidhjen e problemeve, duke marrë shembull marrëveshjen e suksesshme ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Greqisë”, shkruan Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.

Presidenti Thaçi thotë se në Berlin pret që Franca dhe Gjermania të ofrojnë mbështetje për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, pasi sipas tij, Prishtina zyrtare ka përmbushur të gjitha kriteret për këtë proces.

“Nëse diçka e tillë nuk ndodh, takimi i Berlinit do të jetë zhgënjyes për qytetarët e Kosovës”, thotë Thaçi, duke shtuar se në këtë takim joformal do të kërkojë edhe dënimin e gjenocidit të Serbisë në Kosovë në periudhën 1998-1999.

Takimi i radhës i liderëve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet më 29 prill në Berlin, po shihet edhe si një mundësi e mirë që vendet e këtij rajoni të përfitojnë nga projektet e përbashkëta që do të mbështeten nga shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, kryesuar nga Gjermania.

Në këtë samit është thënë se mund të diskutohet për taksën e Kosovës prej 100 për qind ndaj importeve të Serbisë, të cilën autoritetet serbe e kanë përmendur si arsye për mosvazhdim të dialogut me Kosovën, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Por, autoritetet në Kosovë thonë se taksa e vendosur nëntorin e vitit të kaluar, do të hiqet vetëm kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.