Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u bëri thirrje të premten amerikanëve, që të vaksinohen kundër epidemisë të fruthit, në kushtet e një rigjallërimi të virusit infektues në SHBA, që i ka detyruar dy universitete amerikane të izolojnë në karantinë qindra studentë, profesorë dhe punonjës të tjerë të universitetit.

Zoti Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se qytetarët “duhet të marrin vaksinat” për t’u mbrojtur ndaj virusit që konsiderohej i zhdukur në SHBA gati 20 vjet më parë.

Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), njoftuan të mërkurën se
ka patur rreth 700 raste infektimesh në 22 shtete amerikane, niveli më i lartë i epidemisë në 25 vitet e fundit. CDC tha se epidemia i atribuohet pjesërisht valës së keqinformimit për sigurinë e vaksinës së fruthit.

Fillimisht epidemia është zbuluar tek hebrejtë ortodoksë, që kishin rënë në kantakt me sëmundjen gjatë udhëtimeve jashtë vendit. Epidemia është përqendruar në një numër të vogël shtetesh, duke përfshirë Nju Jorkun, Nju Xhërsin, Miçiganin dhe Uashingtonin.

Edhe në Kaliforni, janë konfirmuar disa raste infektimesh. Zyrtarët e shëndetit publik urdhëruan të martën që të izoloheshin dhjetëra vetë në Universitetin e Kalifornisë dhe në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë në Los Anxheles, të dy në Los Anxhelos, pas ekspozimit ndaj virusit në fillim të muajit. Zyrtarët e shëndetit publik të Distriktit të Los Anxhelosit thanë se personat do të duhet të mbahen në karantinë për rreth një javë.

CDC rekomandon vaksinimin për të gjithë personat mbi një vjeç, me përjashtim të atyre që e kanë kaluar fruthin kur ishin fëmijë dhe që kanë fituar imunitet nga sëmundja.

Vaksina, e cila së pari u bë e disponueshme në vitet 1960, konsiderohet e sigurtë dhe e efektshme nga shumica e ekspertëve të shëndetit publik.