Në Shqipëri vendimi i marrë të martën nga parlamenti hollandez për të kërkuar nga Komisioni europian pezullimin e rregjimit të lëvizjes së lirë pa viza për qytetarët shqiptarë, ka shkaktuar debate të forta të brendshme. Presidenti Ilir Meta foli për “një këmbanë alarmi”, ndërsa kryetari demokrat Lulzim Basha e cilësoi si “një akt të pastër mosbesimi ndaj qeverisë”. Ministria e Jashtme nga ana e saj theksoi se kërkesa e Hollandës “nuk përmbush asnjë prej kritereve të parashikuara nga legjislacioni i Bashkimit Europian që çojnë në zbatimin e mekanizmit të pezullimit të përkohshëm”, ndërsa e vlerësoi vendimin si të ndikuar nga klima elektorale në Hollandë
Dhoma e përfaqësuesve në Hollandë miratoi të martën me shumicës votash, 92 nga 150, një propozim të paraqitur nga 5 forca politike, 3 prej të cilave pjesë e koalicionit në pushtet, sipas të cilit Qeveria e këtij vendi do të duhet t’i kërkojë Komisionit Europian të pezullojë mekanizmin e rregjimit pa viza. Kërkesa u motivua me rritjen e aktivitetit të organizatave kriminale shqiptare që veprojnë në këtë vend. Gjatë diskutimeve, ministri i Jashtëm hollandez Staf Blok por dhe ai i Brendshëm e i Drejtësisë Ferdinand Grapperhaus mësohet se e kanë kundërshtuar kërkesën. Zoti Grapperhaus ishte vetëm pak javë më parë në Tiranë dhe në konferencën e tij për shtyp me ministren shqiptare të Drejtësisë Etilda Gjonaj foli me tone pozitive për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian si dhe për bashkëpunimin edhe me autoritetet policore shqiptare.
Vendimi i Hollandës provokoi debate të forta në Tiranë. Në një intervistë në emizionin “Përballë” në RTSH, presidenti Ilir Meta tha se “akti i parlamentit holandez është i paprecedentë. Sepse në dijeninë time, më parë nuk ka ndodhur që të kemi një mocion të tillë për një vend tjetër, të paktën të Ballkanit Perendimor apo të rajonit tonë dhe sigurisht që është një kambanë alarmi për të gjithë ne, për të reflektuar në mënyrë që të japim mesazhe shumë më të forta, më konsistente në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, që është një shqetësim jo vetëm për Holandën, por edhe për disa vende të tjera të Bashkimit Europian”. Sipas zotit Meta “ky hap na kujton që janë disa arritje, të cilat nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë, të cilat mund të cënohen në rast se ne nuk respektojmë detyrimet tona dhe unë shpresoj se kjo nuk do të shkojë më tej, drejt akteve të tjera të cilat mund të kërcënonin liberalizmin e vizave, qoftë në hapësirën Shengen apo qoftë edhe në Holandë për qytetarët tanë, por kërkon edhe një reflektim edhe një angazhim të fortë”, theksoi ai, duke shtuar se “përderisa kjo ndodhi në Holandë, kjo nuk përjashtohet të ndodhi edhe në një vend tjetër”.
Me tone të forta foli gjatë një interviste në emisionin “Tempora” në televizionin “OraNews”, kryetari demokrat Lulzim Basha. Sipas tij “ky nuk është një akt racizmi ndaj popullit shqiptar. Ky është një akt i pastër mosbesimi ndaj qeverisë aktuale”, pasi siç u shpreh ai “këtu kemi një shtet që është tërësisht i kapur nga krimi”. Vendimin e parlamentit hollandez ai e quajti pikërisht pasojë të situatës së krijuar në Shqipëri. “Është hera e parë në botë, është e paprecedentë që një vend që ka votuar të na heqë vizat, tani voton të jua rikthejë vizat. Nuk ka ndodhur në botë diçka e tillë. Ky është tregues i qartë i shembjes totale dhe kapjes totale të shtetit”. Zoti Basha e konsideroi vendimin një parathënie shumë të keqe për mundësinë e hapjes së bisedimeve për anëtarësim. “Çfarë prisni ju, që një shtet, parlamenti i të cilit kërkon kthimin e vizave do të votojë për hapjen e negociatave?! Absolutisht jo. As Holanda, as Gjermania, as shtetet e tjera”, theksoi zoti Basha.
Ministria e Jashtme shpërndau në mbrëmje një deklaratë të gjatë ku shpjegonte se “një shtet anëtar i BE-së mund t’i kërkojë Komisionit Evropian hapjen e procedurës së pezullimit të lëvizjes pa viza vetëm mbi bazën e kushteve të mirëpërcaktuara në legjislacionin e BE dhe asnjë kusht nuk plotësohet për paraqitjen e kësaj kërkese nga Holanda për Shqipërinë”. Deklarata theksonte më tej se “duke gjykuar objektivisht, në bazë të fakteve dhe shifrave zyrtare”, ajo është “besimplotë se rezoluta në fjalë nuk mund të gjejë mbështetje në Komisionin Evropian, pasi asnjë nga kriteret që do të çonin në aplikimin e mekanizmit të pezullimit të përkohshëm nuk është plotësuar në rastin e Shqipërisë”, shprehet ministria duke nënvizuar se “migracioni i paligjshëm i shtetasve shqiptarë drejt Holandës ka rënë vazhdimisht, ndërkohë që pezullimi aplikohet në rast rritje mbi 50%. Shifrat e krimit shënojnë gjithashtu ulje përmbajtësore. Po ashtu, edhe kriteri i fundit që ka të bëjë me bashkëpunimin mes strukturave ligjzbatuese të dy vendeve janë cilësuar të shkëlqyera qoftë nga zyrtarët shqiptarë, qoftë nga ata hollandezë”, vë në dukje ministria e Jashtme sipas së cilës vendimi është ndikuar dhe nga klima për zgjedhjet europiane të majit: “Klima elektorale në Holandë padyshim ka ndikimin e vet dhe edhe pse jemi të keqardhur për futjen e Shqipërisë në agjendën e partive në garë, s’kemi asnje dyshim në faktin se përtej horizontit të zgjedhjeve evropiane, faktet do të prevalojnë mbi klishetë elektorale”.