Ndërsa ekipet e ekspertëve kontrollojnë stabilitetin strukturor të katedrales Notre Dame dhe punojnë për të përcaktuar shkallën e plotë të dëmeve nga zjarri masiv në ikonën shekullore të Parisit, Presidenti Emmanuel Macron parashtroi një synim ambicioz për rindërtimin e saj brenda pesë vjetësh.

Ai bëri propozimin për ta rindërtuar atë “edhe më të bukur” gjatë një fjalimi drejtuar mbarë vendit të martën në mbrëmje dhe ka në plan të shfrytëzojë mbledhjen e tij të kabinetit për të diskutuar rindërtimin dhe fondet që do të jenë të nevojshme për ta realizuar këtë plan.

Fillimi është i mirë; qytetarët e pasur francezë dhe bizneset kanë premtuar deri tani rreth 800 milionë dollarë.

Por ekspertët që kanë përgjegjësi për kryerjen e restaurimeve në katedrale të tjera historike paralajmërojnë se një punë e tillë mund të zgjasë disa dekada.

Zjarri shpërtheu të hënën në mbrëmje dhe u deshën 400 zjarrfikës të luftonin me flakët për nëntë orë për ta vënë atë nën kontroll.

Të gjitha katedralet në Francë do t’u bien këmbanave të tyre të mërkurën në mbrëmje për të shënuar 48 orët pas fillimit të zjarrit.

Koni dhe çatia e Notre Damit u shembën, por muret e katedrales, kulla e këmbanave dhe dritaret e qelqta të ngjyrosura mbijetuan.

Zyrtarët thanë se disa prej veprave të artit u dëmtuan, siç ishte organoja kryesore, por shumë prej veprave dhe objekteve mbijetuan dhe do të dërgohen në Muzeun e Luvrit.