Në Shqipëri aborti u lejua me ligj në fillim të viteve 1990 dhe që atëhere ka shënuar ulje të ndjeshme. Por përtej kësaj, specialistët vërejnë se ende ka shqetësime në lidhje me atë që quhet abort selektiv, apo me bazë gjinore, kur gruaja vendoset përballë zgjedhjeve të vështira. Autoritetet pohojnë se edhe pse numri i aborteve ka rënë, ajo që vihet re me shqetësim është, se gratë raportojnë si shkak të ndërprejes së shtatzanizë papunësinë dhe gjendjen e rënduar social- ekonomike, siç njofton nga Tirana gazetarja Mimoza Picari.

Aborti është një çështje e ndjeshme jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vendet e zhvilluara. Autoritetet qeveritare raportojnë shifra në rënie të aborteve në përgjithësi që kryhen në moshën riprodhuese – 15 deri në 49 vjeç. Nga 1 abort në 2.2 lindje në fillim të viteve 90, ka mbërritur 1 abord në 5.7 lindje në vitin 2017. Specialistët veçojnë si sukses dhe uljen e aborteve me kërkesë të gruas, një e drejtë ligjore e tyre që prej vitit 1995. Në totalin e aborteve sot ato zënë një vend prej 23% kundrejt 76% që kishin rreth dy dekada e gjysmë më parë. Niveli i abortit në Shqipëri është më i ulët se i vendeve lindore, dhe në të njëjtin nivel me vendet e rajonit.

Grupmosha ku janë përqëndruar më tepër abortet janë 20-34 vjeç dhe përbëjnë rreth 68% e numrit të abordeve, kundrejt aborteve totale. Mund të themi se grupmosha adoleshente kryen një përqindje të ulët rreth 4.8%”, thotë Alba Merdini, specialiste në Institutin e Shëndetit Publik.

Por, në Shqipëri ka një debat të vazhdueshëm për abortin selektiv, i cili është i paligjshëm, dhe ndërmerret pas javës së 16-të kur edhe dallohet gjinia e fetusit. Mentaliteti patriarkal në Shqipëri e ka nxitur këtë abort, duke bërë që mjaft gra të bien pre e presionit të familjes së bashkëshortit, të shoqërisë dhe të kryejnë, në mënyrë të jashtëligjshme dhe të pasigurt ndërprerje shtatzanie në momentin që konstatohet se fetusi është i gjinisë femërore. Ka dy studime kombëtare nga organizata joqeveritare World Vision, nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë dhe Together For Life mbi abortin selektiv.

Këto janë studime kombëtare, të cilat tregojnë që raporti i lindjes djem -vajza në Shqipëri është 112 meshkuj kundrejt 100 femrave, që do të thotë se raporti natyral meshkuj-femra duhet të jetë 105 me 100. Sipas studimit të UNFPA është një raport jo i drejtë, që tregon se për hir të paragjykimeve që ekzistojnë akoma ndodhin aborte selektive, pra përzgjidhet seksi para lindjes” shprehet Bruna Ylviu, Qendra për Popullsinë dhe Zhvillimin.

Shqipëria gjithmonë në vite e ka patur këtë raport pak më lartë se 106, ka raste që edhe barazohet tek raporti natyral, por nuk ka statistika që të vërtetohet se kjo lidhet me abortin selektiv”- thotë Alba Merdini, specialiste në Institutin e Shëndetit Publik.

Por organizata World Vision nga vëzhgimet në terren, sjell dëshmi tronditëse, edhe pse nuk ka raporte zyrtare për abortin selektiv. Një grua u vendos në pozita të vështira dhe para zgjedhjeve anormale, pasi mësoi se edhe fëmija i dytë është vajzë.

Nuk doja u mërzita shumë, sepse edhe mentaliteti ynë që ishte vajzë, edhe gjendjen nuk e kisha. Duhej të kishe një djalë patjetër se thonin që bëri nusja dy vajza, nuk bëri djalë, na mbeti djali me dy vajza. Nga depresioni që kisha mendova që ta hiqja vajzën. Thoja gjithë kohën do ta heq, bëja punë të rënda duke ngritur pesha që të abortoja në mënyrë spontane”- dëshmon gruaja, për organizatën World Vision.

Kjo grua u ngrit mbi paragjykimin sipas të cilit jeta e një djali ka më shumë vlerë se ajo e një vajze dhe e ndihmuar nga organizata World Vision e solli në jetë vajzën.

Vajza sot është 7 vjeçe, e shëndetshme, si do Zoti vetë”, shprehet gruaja.

Në Shqipëri që prej vitit 2007 aborti mund të kryhet vetëm në maternitetet shtetërore dhe dy spitale private. Më herët kryhej edhe në disa klinika private. Femrat që banojnë në zonat urbane kryejnë numrin më të lartë të tyre (64.7%) ndërsa rajonet me raportin më të lartë të abortit për vitin 2017 janë Vlora, Berati, e më pas Tirana dhe qytete të tjera. Dhe megjithëse ka ulje të abortit specialistët vërejnë me shqetësim se ai kryhet në pjesë dërrmuese nga gra më pak të arsimuara, të papuna dhe me kushte të rënda social- ekonomike. Këto të dhëna raportohen në skedën e abortit.

Pjesa më e madhe e aborteve kryhet nga gra që janë më pak të arsimuara, që kanë arsim 8-vjeçar dhe të mesëm, mbi 50%, dhe 18% me arsim të lartë. Kryesisht janë të martuara. Dhe mbi 80% e tyre, janë të papuna dhe të pasiguruara”, pohon Alba Merdini, specialiste në ISHP.

Mjekët e lidhin numrin në ulje të aborteve me përdorimin e metodave të kontracepsionit, fluksin e informacionit në lidhje me to, i cili tani zë vend edhe në programet shkollore. Aborti që nga java e 6-të dhe deri kur i afrohet javës së 12-të kur edhe është kufiri ligjor i lejimit të tij me kërkesë të gruas, mund të ketë komplikacionet e veta. Pas kësaj jave, ai lejohet vetëm për arsye shëndetësore.

“Komplikacionet kanë të bëjnë si me hemoragjinë që mund të shoqërojë një procedurë aborti. Mund të ketë komplikacione të tjera edhe më të vështira dhe të rënda për t’u zgjidhur dhe vazhduar në rrugë kirurgjikale, siç janë çpimet e mureve të mitrës. Është një proçedurë qorre themi ne. Një komplikacion tjetër që lë pasoja për më vonë, për të patur një shtatzani për më vonë mund të jenë infeksionet që mund të shoqërojnë proçedurën ë abortit”- shpjegon Profesorja e Asociuar, Mirela Rista, Obstetër Gjinekologe.

Specialistët thonë se para ligjërimit të abortit në vitin 1995, rreth gjysma e vdekshmërisë amtare ishte si pasojë e aborteve ilegale të provokuara, ndërsa sot sipas tyre është zero. Por, mjekët thonë se i ndërgjegjësojnë gratë që çdo shtatzani ta çojnë drejt lindjes, me qëllim për të mbështetur lindjet të cilat kanë rënë mbi 50% krahasuar me dy dekada e gjysëm më parë.

Nuk është e lehtë të jesh pjesë e vendimarrjes së një abordi. Kënaqësi është të asistosh në lindje, të bësh të lumtur një familje. Ndërprerja e shtatzanisë nuk është pjesë e kënaqësisë”- shprehet zonja Rista.