Dje paradite më erdhi një mesazh falenderimi dhe mbështetje nga një pedagog koleg socialist. U gëzova por edhe u cudita pasi nuk dija pse më shkruante me nderim dhe pse shpjegonte pislleqet e pushtetit të Arturo Ui derisa dje pasdite pashë që pushteti kish detyruar drejtuesit e UBT të kapitullojnë dhe të falenderojnë qeverinë dhe bashkinë pse po ju merr terrenet e kampusit universitar!

Kolegu socialist më shpjegonte se pushteti Gebelsian kish provuar gjithë metodat për të fituar. Kishin kërcenuar gjithë pedagoget që mos protestonin, kishin futur njerëz të kërcenoninstudentët deri me heqjen nga puna të prindërve të tyre, kishin thirrur me apel në kryeministri pedagogët vetëm socialistë dhe disa prej tyre i kishin tallur dhe nuk i kishin lënë të hapnin gojën as për t’i sugjeruar një rrugëzgjidhje të ndershme për të gjitha palët (zhvendosjen me 150 m), dhe ditën që gjithë trupa akademikë e UBT kish thirrur protestë qysh në mëngjes kishin sjellë një fletëthirrje nga prokuroria (pa numër protokolli fare se ashtu ishte urgjenca) dhe kishin mbajtur rektorin 2.5 orë në pyetje hetuesie për një tender që e ka realizuar administratori i caktuar nga vetë qeveria. Në fund, pasi i kishin shantazhuar dhe terrorizuar cilindo që mundeshin dhe pasi nënshtruan drejtuesit e UBT me kërcenime pisanjosësh, përfaqsuesi me tipik i Gebelsvekish nxjerrë një postim ku falenderonte viktimat e tij që e kishin mirëkuptuar dhe ju thosh trushpëlarëve militantë se beteja do vazhdonte me kundërshtarët politikë që nuk i bleu dot.

Mora vesh se vjedhjen e terreneve universitare që banditët nuk e kishin realizuar shumë vite më parë duke i vënë koburen në kokë një ish rektori, banditët e tanishëm e kishin realizuar duke keqpërdorur gjithë pislleqet e pushtetit përfshi prokurorë legenë që nuk kanë lidhje me drejtesinë por me xhepin e pushtave të shtetit. (“Thirrje në bisedë informative” ishte termi që përdorte UDB në Kosovë e më pas edhe disa banditë që keqpërdornin patriotizmin për qëllime të ulta – fletëthirrje 2.5 orë në prokurori brenda 1 ore nga njoftimi pa numër protokolli në këtë rast).
Pavarësisht vetëmburrjes së qenve të sulmit, unë si pedagog i Planifikimit të territorit do vijoj të shtroj nja 5-6 pyetje si për studentët e mi, edhe për ata që kanë veshë të dëgjojnë dhe sy të shikojnë:

1.-A lejon ligji kthimin e terreneve shkollore?

2. A mund të ndërtohet ne një truall ku pronësia është e paqartë? Cështja gjyqsore është kthyer nga gjykata e apelit në shkallë të parë – ky është vendimi i formës së prerë. Blerja nga bashkia e tokës nga një palë në gjyqin e pronësisë nuk e zgjidh pronësinë.

3. A mund të nxirret leje ndërtimi në një tokë ku bashkianuk ka miratuar PDV?

4. A mund të zbatohet një projekt kur bie ndesh me një Masterplan? Zv.Ministri 99c na tha se Projekti i shkollave bie ndesh me Masterplanin e UBT prandaj ka prioritet projekti i shkollave! Sipas ligjit Planet kanë fuqi mbi Projektet dhe jo anasjelltas. Nëse do kishim përplasje mes Planeve të institucioneve të ndryshme atëherë do kishim nevojë për qasje të integruar ndërinstitucionale ku palët të paraqesin argumentet e tyre dhe të gjendet kompromis mes Planeve.

5. A mund të nisin punime me ekskavator pa tabele informuese? Cfarë ndodh nëse i nis një qytetar i zakonshëm? Tabela është ndryshe nga fotot/renderat per fasadë pasi duhet të japë informacione të detajuara ligjore përfshi fituesit e tenderit, vlerën e punimeve etj. Nëse shteti shoqëron në polici qytetarin për mungesë tabele para fillimit të punimeve pse e shkel vetë këtu?
Interesant është fakti që më datë 1 prill 2019 Bashkia ka marrë certifikatën e tokës dhe me datë 2 prill 2019 kanë filluar punimet me ekskavator! Ky është tregues që kanë kaparisur arkitektin dhe nisur projektin arkitekturor qysh pa pasur tokën. Brenda ditës kanë kryer tenderat për kompaninë projektuese, arkitekturore, konstruktive? Brenda ditës pastaj kanë shpallur fituesit e tenderave dhe brenda ditës fituesit e tenderave ju kanë dhënë projektet e detajuara arkitekturore tenderat e të cilave i kanë mgjitur në rrethim? Dhe brenda ditës kanë tenderuar për ndërtimin së të nesërmen filloi rrethimi dhe punime me ekskavator? Gjithë këto tregojnë shumë.

Ndofta kjo qeveri duhet të nxjerrë një nen në cdo ligj ku të shkruhet që “nëse ligjin e shkel qeveria, atëherë ai ligj bëhet i pavlefshëm”. Kështu zgjidh edhe shkeljet ligjore të përseritura, edhe dhimbjet e kokës nga pyetjet e vështira të kokëshkretëve të opozitës, por edhe shpëton nga ndjekja penale kur vërtet të dalë ndonjë prokuror jo i kapur nga krimi a korrupsioni.

Unë mora vec një mesazh nga një koleg socialist, por vras mendjen sa prej tyre vërtet janë ndier të përbuzur nga pushteti që kanë votuar? Sa prej tyre do kenë dinjitet dhe do ia tregojnë me votë arrogancen e pushtetit? Arroganca dhe shkeljet ligjore i bën pushtetarët në dukje të fortë, por qartazi të përcmuar edhe në sytë e vete socialisteve. Pushteti ose beson se socialistët do bëjnë sikur nuk shikojnë, nuk dëgjojnë dhe nuk kuptojnë ose nuk ia ndien fare për socialistët për sa kohë do përlajnë qindra miliona euro me një aferë.

Arturo Ui ishte i kënaqur që kish fituar, ndërsa shumë nga ne pedagogë dhe studentë jemi të nderuar që këmi humbur. Kjo pasi nuk na nënshtruan, qëndruam si njerëz të lirë dhe për këtë kemi vlerësimin dhe respektin e të gjithëve, përfshi të atyre që nuk mundën të rezistonin.