Dy shqiptaro-amerikanë, njëri biznesmen e tjetri politikan, Harry Bajraktari dhe Mark Gjonaj, kanë shfaqur mbështetjen e tyre për kandidatin për President, Blerim Rekën. Në një video-mesazh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ata kanë thënë se është koha që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të votojnë një shkollar dhe diplomat si Blerim Reka.
Sipas tyre, shqiptarët e Maqedonisë kanë luajtur një rol pozitiv në të gjithë historinë e Maqedonisë, ndërsa së fundmi ata dëshmuan pjekuri politike edhe me ndryshimin e emrit të Maqedonisë.
Bajraktari dhe Gjonaj kanë shfaqur një mbështetje të parezervë për Doktor Rekën, duke shtuar se ata do të bëjnë çmos që Uashingtoni zyrtar të jetë në dispozicion të Blerim Rekës si President i ardhshëm. Me zgjedhjen e Rekës për President, Maqedonia e Veriut do të ketë mundësi të arta për forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, thonë ata.Harry Bajraktari është një biznesmen nga Bronksi i Nju Jorkut
Ai ka ardhur këtu në vitin 1970 nga Kosova dhe, si shumë shqiptaro-amerikanë të tjerë, e ka gjetur suksesin në biznesin e pronave të patundshme. Vetëm në Kosovë, Bajraktari ka investuar rreth 40 milionë dollarë, duke punësuar qindra njerëz.Ndërsa Mark Gjonaj është një politikan amerikan i Partisë Demokratike. Ai shërben në Këshillin e Qytetit të Nju Jorkut nga distrikti i 13-të. Më parë Gjonaj përfaqësonte rrethin e 80 të Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut nga viti 2013 deri në vitin 2017. Gjonaj ështe i pari shqiptaro-amerikan i zgjedhur në qytetin dhe shtetin e Nju Jorkut.