Reforma e së drejtës së autorit, që ka ngjallur shumë debate në BE, u miratua. Qeveria gjermane dha aprovimin për këtë dhe konkretizon direktivën e saj për ta zbatuar në Gjermani.

Në votimin e tyre të fundit, shtetet e BE e konfirmuan projektin në shumicë. Gjashtë shtete votuan kundër, tre abstenuan. Qeveria gjermane votoi me “po”. Në fund të marsit, deputetët e BE u shprehën që të reformohet e drejta e autorit, e hartuar para njëzet vjetësh.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, qeveria gjermane ra dakord në minutën e fundit për ta mbështetur reformën e së drejtës së autorit. Koalicioni i gjerë partiak në pushtet në Gjermani pati vështirësi me pjesë paragrafësh të propozuar nga ministria, prandaj miratimi nga Gjermania në Këshillin e BE mbeti i paqartë deri në fund.

Pika kryesore e kritikës: filteri i ngarkimit në internet

Në deklaratën protokollare qeveria gjermane shprehet edhe më tej kundër përdorimit të shuarjeve automatike me të ashtuquajturit filtra të ngarkimit në internet (upload filter). Por përdorimi i tyre nuk përjashtohet. Kundër pjesëve të reformës pati protesta të mëdha para së gjithash në Gjermani.

Rregullat e reja parashikojnë që platforma interneti si Google, YouTube dhe Facebook t’i bllokojnë në të ardhmen përmbajtjet e palicensuara ose të jenë të detyruara t’i shuajnë ato. Meqenëse mund të përdoren edhe filtra të ngarkimit në internet, të cilat t’i dallojnë dhe përzgjedhin përmbajtjet e mbrojtura që kur ngarkohen ato, kritikët paralajmërojnë për rrezikun e censurës. Filtrat mund të shuajnë më tepër se është e nevojshme. Këto filtra përdoren që tani për shuarjen e përmbajtjeve me urrejtje në rrjetet sociale.

Në deklararën protokollare theksohet se në zbatimin në praktikë në Gjermani do të “shtohen” përjashtime për sipërmarrjet e reja start-up. Veç kësaj kërkohen sqarime, që direktiva e BE me kërkesën për të verifikuar shkeljet e së drejtës së autorit të ketë si objektiv platformat e fuqishme në treg si Youtube ose Facebook dhe jo platforma më të vogla të TI.

Ndryshe nga projekti i protokollit, nuk kërkohet më që Gjermania ta zbatojë sa më shpejt që të jetë e mundur direktivën e BE, për të ofruar një model për shtetet e tjera. Në vend të kësaj, thuhet se pritet një zbatim në të gjithë BE, sepse “një zbatim fragmentar në 27 variante nacionale nuk do të përputhej me rregullat e një tregu të brendshëm digjital evropian”. Shtetet anëtare të BE kanë tani dy vjet kohë që t’i zbatojnë në të drejtën nacionale rregullat e reja.

Synimi i reformës të së drejtës së autorit është që të zëvendësohet e drejta e vjetëruar e autorit në BE, që të përshtatet me epokën digjitale dhe që autorët të paguhen më mirë për përmbajtjet e tyre në rrjet.