Pavarësisht nga situata aktuale e politikës dhe e reformave të ndërmarra në gjitha shkollat dhe universitetet e vendit, ajo që bie në sy e që është lehtësisht e prekshme dhe e verifikueshme, ka të bëjë me faktin që në këto 3 vite, Universiteti Bujqësorë i Tiranës ka filluar që të rindërtohet dhe të ringrihet duke bërë hapa të rëndësishëm drejt përmirësimit rrënjësor të infrastrukturës dhe administrimit të procesit mësimor dhe gjithë territorit. Falë ndryshimeve të thella në infrastrukturë, në menaxhim dhe në administratë, pas shumë vitesh të karakterizuara nga shkatërrimi i ambjenteve dhe mungesa e theksuar e investimeve në infrastrukturë, duket që është hapur rruga e shumëpritur e rikthimit të bukurisë, gjelbërimit dhe gjallërisë së dikurshme të ambjenteve dhe të gjithë jetës studentore.

Filozofi Thoma Akuinini (1225-1274), ndër të tjera ka shkruar “Njeriu është i mirë nëse ai e ka mundur egoizmin e tij”. Në këtë periudhë disi të mbingarkuar me xhelozi, me korrupsion, me sherrnajë dhe me përçarje të panevojshme për këtë vend të vogël e të varfër, ja vlen që të sjellim në vëmendjen e lexuesve të shumtë edhe atë pjesën e zhvillimeve pozitive, bashkë me shembullin e mirë të atyre njerëzve që bashkëpunojnë dhe i kontribuojnë zhvillimit dhe progresit në universitete, në shkolla dhe kudo tjetër në institucionet e Shqipërisë. Në këtë kuadër, krahas kritikave të bëra për punët që nuk kanë shkuar dhe aq mirë në këto vite, mendoj se duhet të sjellim në kujtesën e lexuesit edhe atë pjesë të arritjeve, të ndërhyrjes dhe të punës që është bërë e që po bëhet për rikthimin e pronësisë dhe të normalitetit në funksionalizimin dhe menaxhimin e mirë të territorit dhe të ambjenteve në Universitetin Bujqësor të Tiranës që dita ditës po zhvillohet në dobi të studentëve dhe gjithë procesit mësimor e shkencor. Ky ndryshim i madh që ka ndodhur dhe po ndodh në çdo ditë e muaj të vitit, pikë së pari ka lidhje me dashurinë profesionale, me punën, me korrektesën dhe me moralin e pastër të Profesor Bahri Musabelliut, rektorit aktual të UBT-së.

Profesor Bahri Musabelliui është shembulli më i mirë i aktualitetit të shkollës dhe universiteteve shqiptare, është shembulli i gjallë i intelektualit dhe drejtuesit të zgjedhur e të gjithëpranuar e të respektuar sepse korrektesën dhe urtësinë e tij si dhe përvojën dhe dijen shumëvjeçare e vendosi në shërbim të zhvillimit dhe të transformimit rrënjësor të mjedisit gjeografik dhe akademik të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Unë jam njëri nga ata ish studentët dhe ish punonjësit e shumtë që i ka njohur dhe që ka përjetuar nga afër ndryshimet e këtij mjedisi universitar që nga viti 1982 e deri në ditët e sotme. Lidhur me këtë realitet, secili nga ne, ish studentët dhe punonjësit e UBT-së, ruan kujtimet dhe mbresat e tij të pashlyeshme në vite, duke filluar që nga ditët e para të ardhjes dhe të akomodimit në ambjentet e këtij universiteti e deri më sot ku të gjithë gëzohemi për faktin që mjedisi universitar po rindërtohet dhe po rifunksionalizohet përsëri. E përbashkëta e të gjitha kujtimeve dhe nostalgjive tona, pavarësisht nga origjina dhe nga historitë tona përsonale, është dhe do të mbetet ndjesia dhe ato kujtimet tona të bukura që burojnë dhe kanë lidhje me qetësinë, me harmoninë e zhvillimit dhe të gjithë atë panoramën e bukur dekorative të ish godinave të fjetjes së studentëve, të ish lulishteve, të ish shesheve dhe të ish rrugëve të projektuara, të ndërtuara e që mirëmbaheshin në mënyrën dhe nivelin më të mirë të kohës. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për faktin që të tillë mjedis universitar si ai i UBT-së të viteve 1982-1989, as nuk ka patur dhe akoma nuk është arritur që të ketë në asnjë institucion shkollor e universitar në Shqipëri. Ish studentët dhe pedagogët e asaj periudhe e kujtojnë me nostalgji këtë shembull të mirë për të cilin ia vlen beteja, angazhimi dhe investimet për ta rikrijuar dhe për rindërtuar përsëri, madje edhe më të bukur nga ç`ka qenë. Që të gjithë i mbajnë mend mirë ish mjediset e gjelbëruara e të mbushura me prezencë gjithëvjetore të gjelbërimit, të ngjyrave dhe të aromave të gjetheve dhe luleve, mjedise që u lanë pas dore dhe u degraduan aq keq gjatë periudhës 1992-2015, e që tashmë sapo kanë filluar të rindërtohen e të rifunksionalizohen.

Të gjithë ata që patën fatin që të studjojnë, të jetojnë, të punojnë dhe të vizitojnë këto mjedise, nuk mund të mos kujtojnë dhe të flasin me shumë admirim edhe për ish ambjetet sportive, për ish Kinoklubin dhe ish Amfiteatrin, për ish Biblotekën dhe ish laboratorin ku kryheshin që të gjitha analizat kimike e biologjike të bimëve, të tokës dhe të kafshëve. Të gjitha këto ambjente mësimore e shkencore, përfshirë edhe vreshtin didaktik së bashku me bazën mekanike dhe atë prodhuese në Valias, gjatë periudhës 1992-2015 u lanë pa investime derisa u degraduan në gërmadha, në godina të përçudnuara dhe në rrugë të mbushura me gropa. Për më keq, i gjithë gjelbërimi degradoi në lulishte të mbushura me mbeturina dhe me bimë të vjetra e të shqyera. Ndërsa ish godinat e studentëve nga ku shkëlqente pastërtia dhe rregulli, u zaptuan nga njerëz që nuk kishin asnjë lidhje me mjedisin universitar. Në këtë mënyrë, brenda një kohë të shkurtër këto mjedise u degraduan duke u kthyer në vatra që kundërmonin varfëri, ndotje dhe erë të rendë plehu dhe amoniaku. Nga heshtja e pakuptimtë e institucioneve dhe ish personazheve drejtuese,  degradoi në mënyrën më të keqe edhe vreshti didaktik, së bashku me ish kantinën dhe ish ambjentet sportive. Akoma më keq pati degraduar situata me ato ndërtimet e paligjshme që u shfaqën në lulishtet dhe në ambjentet e tjera të UBT.

Pas vitit të mbrapshtë 1997, në pikat më të bukura të panoramës së gjelbër të universitetit, në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe normat morale te të gjitha kohërave dhe sistemeve, qenë ndërtuar lokale prej hekuri dhe betoni që për shumë vite me radhë shkaktuan ndotjen e mjedisit. Nga shkatërrimi dhe degradimi i kësaj periudhe nuk arriti të shpëtojë asgjë, madje as Biblioteka që në një ditë të trishtë të vitit 1997, bashkë me të gjitha ambjentet e tjera të universitetit që u përfshinë nga flakët e që shërbyen vetëm për të mbuluar përmasat e mëdha të vjedhjes, shkulturimit dhe të abuzimit me fondet, me investimet dhe me projektet e adresuara për universitetin e që përfunduan në xhepat e abuzuesve dhe klaneve nepotike të asaj periudhe. Dihet mënyra se si edhe këtë veprim të turpshëm ia faturuan situatës politike dhe banorëve të varfër të Bathorës dhe zonës rreth e rrotull UBT-së, të cilët nuk kanë patur asnjë lidhje as me djegien e universitetit dhe as me vjedhjen e pronave, investimeve dhe projekteve. Rektori aktual, Prof. Dr. Bahri Muisabelliu e mori këtë detyrë të vështirë përpara tre viteve duke e njohur këtë realitet dhe duke e ditur që do të përballej çdo ditë me këtë situatë të rëndë e cila buronte nga mungesa e reagimit të gjatë institucional dhe  problemet e akumuluara në vite.

Duke vendosur në plan të parë bashkëpunimin, gjithpërfshirjen dhe zbatimin e ligjit, Prof. Bahri Musabelliu arriti që të fillojë nga rindërtimi i rrugëve dhe lulishteve, njëkohësisht arriti që të krijojë një ambjent të vendimmarrjes, transparencës, kontrollit dhe punës kolegjiale. Në këtë mënyrë, Bahri Musabelliu do të mbahet mend gjatë si rektori i zgjedhur me votën më të pa ndikuar nga politika konfliktuale e kohës e që nuk i ka zhgënjyer zgjedhësit, kolegët, as studentët e tij. Do të mbahet mend për atë mënyrën se si pati guximin dhe ndershmërinë për të ndërhyrë menjëherë kundër lokaleve dhe kioskave të ndërtuara në ambjentet e universitetit e që kundërmonin alkool dhe tym duhani. Do të mbahet mend për mënyrën se si, duke filluar që nga dita e parë pas zgjedhjes në krye të institucionit, u mor me zgjidhjen e situatës kaotike të rrugëve të degraduara e që falë ndërhyrjes së tij u rindërtuan dhe u riasfaltuan duke u bërë të bukura e të pastra siç kanë qenë në ditën dhe kohën e tyre më të mirë. Në mënyrë të njëkohëshme, u fillua edhe puna për rikonstruksionin dhe rindërtimin e lulishteve të degraduara. Me një këmbëngulje të jashtëzakonshme u arrit edhe zhbërja e privatizimeve të paligjshme dhe rikthimin e territorit dhe të gjitha objekteve të privatizuara tek universiteti dhe në shërbim të studentëve. Në të njëjtën mënyrë, me ligj, me moral të pastër dhe me vendosmëri të admirueshme, brenda shumë pak muajve arriti që të stopoj shitjen e librave nëpër zyra, bashkë me presionin që në jo pak raste bëhej ndaj studentëve. Në këtë mënyrë dhe rrugë, falë vendosmerisë së madhe, brenda vitit të parë si drejtues, në ambjentet e UBT-së, u arrit që të krijohet një ambjent mbytës edhe ndaj amoralitetit, arrogancës dhe mitmarrjes. Brenda një kohe të shkurtër e mësuan dhe e kuptuan që të gjithë faktin që për të tilla sjellje dhe fenomene, Prof Bahri Musabelliu nuk fal askënd, për të tilla fenomene nuk ka as mëshirë dhe as shpëtim. 

Platoni ka thënë se: “popullit i duhet një princ që zotëron urtësi dhe moral të pastër”. Universitetit Bujqësor dhe të gjitha universiteteve të tjera të vendit, në radhë të parë kanë nevojë për drejtues të pajisur me dije dhe me sjellje dhe me moral të pastër. Koha që po kalojmë ka nevojë për njerëz që guxojnë e që luftojnë për të vendosur çdo gjë në vendin e vet dhe çdo njeri në punën që di të bëjë më mirë. Natyrisht që në grumbullin e madh të problemeve të akumuluara të UBT-së, ka edhe probleme që akoma nuk janë vu në rrugën e zgjidhjes së tyre të plotë. Të tilla janë ato problemet që lidhen me administrimin ligjor e transparent të projekteve dhe të investimeve në laboratore dhe paisje didaktike, ato të administrimit të shkollës së doktoraturës, ato të rishikimit të emërimeve nepotike dhe jashtë kritereve ligjore të kohës. Akoma ka probleme që lidhen me kurrikulat fiktive të sajuara me ngut e të mbajtura deri në ditët e sotme vetëm për të favorizuar përsonazhet e tarafit dhe klanit të ngushtë nepotik e të karakterizuara nga injoranca dhe pafatësia.

Në Universitetin Bujqësor dhe në universitetet e tjera të vendit, gjithnjë ka patur dhe do të ketë probleme me stafet pedagogjike. Pavarësisht nga kjo e vërtetë, kurrë nuk mund të pranohen të tilla pohime dhe etiketime sipas të cilave e keqja e madhe paska arritur që të nxijë e të pllakosë deri në 90% të stafit. Në asnjë kohë dhe në asnjë situate, abuzuesit, arrogantët, injorantët, nepotistët, tarafet, abuzuesit, etj, nuk mund të përbëjnë më shumë se 3-5% të numrit të përgjithshëm të personelit akademik. Përgjithësime dhe etiketime të tilla nuk i shërbejnë as shkollës, as universitetit dhe askujt në këtë vend. Pas lëvizjes studentore, situata në universitete dhe në të gjithë administratën dhe shoqërinë shqiptare ka ndryshuar për mirë dhe në favor të demokratizimit, ligjshmërisë, gjithpërfshirjes, transparencës dhe liberalizimit. Është koha që të sjellim në vëmendjen e lexuesit dhe të shprehim mirënjohjen tonë të thellë për të gjithë ata që kanë punuar dhe po punojnë për rindërtimin dhe ringritjen e Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe të shkollës në përgjithësi. Është koha që të mësojmë nga puna dhe përvoja pozitive e rindërtimit të strukturave dhe mjediseve universitare të Shqipërisë.