Kryetari i Parlamentit britanik, John Bercow, ka thënë të enjten se ka pranuar kërkesën e Qeverisë britanike për të votuar rreth planit të saj për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

“Kërkesa është e re, përmbajtësisht ndryshe dhe respekton pritjet e mia”, ka thënë Bercow, i cili javën e kaluar ka refuzuar që plani qeveritar të votohet në parlament për herën e tretë, përveç nëse bëhen ndryshimet procedurale që ka kërkuar ai.

Ligjvënësit britanikë tani do të votojnë vetëm një pjesë të marrëveshjes për të cilën është arritur pajtueshmëri me Bashkimin Evropian.

Ata do të votojnë çështjet se sa do të kushtojë Brexiti, të drejtat e qytetarëve dhe kufirin e diskutueshëm irlandez.

Megjithatë deputetëve u është thënë se, deklarata politike që përcakton marrëdhënien e Britanisë me BE-në, në të ardhmen, nuk do të jetë pjesë e votimit.

Në rast se ligjvënësit votojnë në të mirë të marrëveshjes, Qeveria ka thënë se Britania do të largohet nga blloku evropian më 22 maj.

Deputetët britanikë kanë votuar të martën për të marrë përsipër kontrollin e procesit të daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.