Bashkimi Evropian konsideron se ëshë e drejtë e qytetarëve që të protestojnë, porse parlamenti “është vendi ku duhet të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura”.
Kështu deklaroi zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, pas protestave që u mbajtën në fundjavë në Beograd.
“Parlamenti është vendi ku duhet të ketë hapësirë për diskutim, me qëllim që të gjenden zgjidhje të përbashkëta dhe të zgjidhen problemet e qytetarëve. Dialogu i strukturuar me shoqërinë civile është po ashtu i rëndësishëm”, tha Kocijançiq për gazetarët në Bruksel.
“Protestat duhet të mbeten të qeta dhe brenda ligjit, ashtu siç kanë qenë para kësaj fundjave. Qetësia dhe përmbajtja janë të domosdoshme”, tha Kocijançiq.
Protesta antiqeveritare në Beograd mbahen çdo të shtunë qysh më 8 dhjetor të vitit të kaluar.
Të shtunën e kaluar, disa protestues dhe udhëheqës të opozitës kanë hyrë në ndërtesën e Radio-Televizionit të Serbisë në Beograd, duke kërkuar hapësirë në televizionin publik.
Më pas, ata janë nxjerrë jashtë nga xhandarmëria.
Protestat vazhduan edhe të dielën, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një fjalim drejtuar kombit, tha se “nuk do të lejojë kërcënime përmes dhunës”.
Kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e Vuçiqit, pastaj hapësira në televizionin publik, zbulimi i urdhëruesve dhe kryesve të, siç thonë, sulmeve ndaj qytetarëve, gazetarëve, aktivistëve dhe politikanëve, si dhe publikimi i “planit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.
Protestat, që përfshijnë figura publike, politikanë të opozitës, profesorë universitetesh e të tjerë, zhvillohen nën moton “Një në pesë milionë”.
Motoja është nxjerrë nga komentet e Vuçiqit për protestat, i cili ka thënë se ai “nuk do të përmbushë asnjë kërkesë, edhe sikur të mblidhen pesë milionë vetë në rrugë”.
Protestat, përveç Beogradit, janë shtrirë edhe në qytete të tjera të Serbisë.
Rusia reagoi po ashtu për protestat në Serbi, duke thënë se ato janë çështje e brendshme e këtij vendi.