Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se mirëpret një marrëveshje të gjerë tregtare ndërmjet SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.
Komentet e presidentit amerikan bëhen në kohën kur dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian ka hyrë në një periudhë të paqartë.
“Administrata ime mirëpret bisedimet për një marrëveshje të gjerë tregtare me Britaninë. Potenciali është i pakufishëm” ka shkruar Trump në Twitter.
Ligjvënësit britanikë do të votojnë sot për të kërkuar leje ose jo nga Bashkimi Evropian për shtyrjen e Brexit-it, apo daljes së Britanisë nga BE-ja, pas datës 29 mars, e cila është e paraparë tash për tash.
Votimi pason kundërshtimin e ligjëvënësve britanik ndaj marrëveshjes së rishikuar ndërmjet qeverisë britanike dhe Bashkimit Evropian.
Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit-i pa marrëveshje do të shkaktonte recesion në Britani dhe do të ngadalësonte rritjen ekonomike në BE.