Tre poezi nga poeti Lush Susaj
- Studentët do ja shlyejnë borxhin Shqipërisë
Moj pranverë, ar’sh e bardhë
Në bregdet, malet me borë
E mi çilsh lulet ma t’bukura
Për ata, studentë hyjnorë.
Me ty ardhtë dritë e lirisë
Dritë e shpresë për Shqipërinë
Si bekim prej Perendisë
Prej studentëve ke lavdinë.
Se Shqipëria nuk turpërohet
Tuj u vjedhë e shkelë me kamë
Ka studentat, ka dëshmorët
Që të gjithë e therrasin nanë.
Sa herë plagët kullojnë gjak
Hapur thellë nga kusarë
T’i mjekon shkolla shqipe
Me studentat, faqja e bardhë.
Trup e shpirtë të mavijosur
Rrahë nga mushkopolitika
Kur sundoj derri e dosa
Kur sundoj horri e frika.
Zot i madh që fale botën
Për studentat e lirisë
Jepu fat e ditë të bardha
Me ja shly borxhin Shqipërisë.
- Halli i studentëve të Shqipërisë
Studentët protestojnë
E zeza i përpini
Duan dije e kulturë
Mjaft me dokrra hini.
Ç’ka universiteti
Ku vajti lavdia
E mbyti nepotizmi
Rrëna e hajnia.
Kush i ka pushtuar
Katedra, auditore
Servilat, injorantët
Kapur dorë për dore.
Lekët drejtë e n’xhepa
Mësim as shkencë nuk ka
Milioner tarafi
Studenti fukara.
Projektet e zhvillimit
Nuk i zbardhi drita
I morën shoqatat
Kakopolitika.
Në grumbujt me dosje
Ka humbur laboratori
Fondi është bërë vila
Është pasurue horri.
I duan universitetet
T’i vjedhin ditë për ditë
Lartë i mban partia
Pa rregull e meritë.
Zot mos na lësho dorët
Horra dalshi fare
Rroftë universiteti
Rroftë shkolla shqiptare.
- Përçarësit e protestes studentore
Ç’bërë sot koleg
Ku ishe, kë prite?
Bëra mësim me tre studentë
Sjellje hipokrite.
I thashë që është protestë
Sotë nuk ka mësim
Është urdhër nga partia
Ta shuajmë me çdo çmim.
Të bëjmë sikur bëjmë
Praktika, ligjerata
T’i përçajmë studentët
Në parti e shoqata.
I fola prapë kolegut
Ta nxjerrim jashtë partinë
Partia mbi studentët
Mbi kombin dhe lirinë.
Kështu u prenë në besë
Studentët e Shqipërisë
Nga partiakët, sharlatanët
Turpi i Shqipërisë.
Gjithë partitë e degradimit
Hipokritët dhe servilat
Kanë me marrë poste e grada
Prapë mbi kry me pas debilat.
Unë besoj në të madhin Zot
Në ndriçimin e lirisë
Forca dhe mendja studentore
Që ja kthej dritën Shqipërisë.
Prapë besoj në kombin tim
Shqipëria s’ka dalë fare
Sa të kem studentët trima
S’kem me mbetë, me borxh as marre.