1.

Nuk e kisha njohur më parë arsimtaren durrsake dhe poeten, Gladiola Busulla apo, siç njihet me emrin e artit, Gladiola Jorbus. Po, për këtë gjë, “kumbara” ynë u bë Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në Boras të Suedisë, me faqen e  Internetit dhe revistën e  saj, “Dituria”, ku të dy publikojmë, herë pas here. Ato ka vite që i drejton miku i përbashkët, Sokol Demaku. Pra,  aty  kam lexuar shpesh herë ose rregullisht, poezitë e frymëzuara të saj. Kjo ishte dhe arsyeja, që shpreha dëshirën të njihesha më nga afër me jetën, krijimtarinë dhe veprimtarinë e Gladiolës.

E lindur dhe e shkolluar në këtë qytet të bukur bregdetar, shpejt u mbush me emocione e frymëzime të moshës, sidomos  kur vazhdoi dhe mbaroi studimet e larta, për gjuhë e letërsi shqipe, në Universitetin e Tiranës.

Po ta lexoni jetëshkrimin e Gladiolës ose po ta hapni skedarin e Bibliotekës Kombëtare, në Tiranë, aty do të gjeni se është autore e  vëllimeve poetike, “Dëshirë përsosmërie”(Tiranë, 2007) dhe “Inanna” (Medaur, 2011). Po kështu, ajo ka redaktuar disa vepra të autorit bashkëqytetar, Shpend Topallaj.

Ndërkaq, poezitë e Gladiolës mund t’i keni lexuar përherë në organe shtypi ose në faqe të ndryshme Interneti. Përkitazi, aty kanë dhënë mendimet e tyre mjaft lexues, duke u  shprehur me dashamirësi për talentin dhe shpirtin e ndjeshëm poetik të Gladiolës.

2.

Për të krijuar një mendim rreth poezive të kësaj autoreje, më poshtë po ndalemi në disa prej tyre. E, cili është ai autor, që krijimet e tij poetike nuk ua ka kushtuar prindërve apo gjyshërve?! Ja, kështu dhe Gladiola derdh ndjenjat e veta poetike për babanë e saj:

Kur babai

kthehej në shtëpi,

i tëri ngazëllente.

Për mua ish’ munduar

që thesare të gjente;

me libra më mëkonte…

Ndërsa në një poezi tjetër shkruan për atë, plot mall të pashuar:

E lehtë nuk qenka,jo,

të ndahesh nga kjo botë!

Sytë e zemrës qajnë,

për fjalët që s’thanë dot!?…

Kështu dhe në poezinë kushtuar gjyshes, Gladiola shprehet me mallëngjim:

Moj gjyshja ime,

syvezulluesja!

Dashuri munguese,

pse s’je më ti?!

………

Gërshetëzat e mia

Sa ëmbël i thurje!

Si puthje mbi flokë,

më ngjanin ato….

Për vogëlushen e saj, e derdh tërë nektarin e shpirtit, në vargjet e poezisë “E vogla ime”:

Gugatje pëllumbeshe,

më ngjan fjala jote;

kur hapin hedh drejt meje,

lehtë, porsi një muzë…

Si të gjithë poetët, edhe Gladiola e gjen frymëzimin e saj në natyrën e bukur, që e rrethon, në ndjenjat e miqësisë e dashurisë etj. Prandaj dhe ka shkruar poezi të tilla, me titujt: “Puthjen time”, “Përralla e dashurisë”, “Atij”, “Eros”, “Mbrëmje pa dashuri”… Te poezia “Lumturi e përnjëmendtë” autorja sikur cicëron:

Një vullkan i pashuar.

përkëdheljet,

me kurora pishashs

shëmbëllejnë;

etjen shuajnë,

në kurmin tënd.

Këmbana, kumbon për një

Puthje, në muzgun-ëndërr…

Ç’lumturi e përnjëmendtë!

Ndërsa këtë pjesë po e mbylli me poezinë, nga e mora dhe titullin e këtij shkrimi modest, për poten Gladiola Busulla, “Valsi i pulëbardhave”:

Oqean’ i ndjenjës,

shterret dalëngadalë.

Dashuri zvarritëse,

përhumbet si vale,

një vals lamtumire…

Pulëbardhat vallëzojnë.

drithërimat, premtimet,

sa larg, fluturojnë!

Të arrira janë dhe poezitë e kësaj autoreje kushtuar qyteteve tona, me bukuritë dhe traditata e tyre mijëravjeçare, ato kushtuar kolegëve poetë etj. Së fundmi ka përuruar para lexuesve në Shkup (Maqedoni) dhe Goteborg (Suedi), librin eseistik, “Namatisje-Refleksione”, botuar në Boras-Suedi, në vitin 2018.

3.

Por Gladiola Busulla ka dhe një jetë të pasur profesionale, pra mësuese, publiciste, gazetare, aktiviste dhe drejtuese në qytetin e Durrësit. Gjatë asaj periudhe ka organizuar e ndihmuar në zhvillimin e mjaft veprimtarive social- politike, arsimore – edukative, kulturore, artistike e sportive. Për tërë veprimtaritë, që ka organizuar ose ka qenë pjesëmarrëse, ajo është nderuar e vlerësuar: në Durrës, Belgjikë, Suedi, Ulqin etj. Krijime të saj janë publikuar, për lexuesit, në gazeta e revista të ndryshme shqipe, që dalin në  Shqipëri, Mal i Zi, Kosovë, Suedi, Zvicër, Boston etj.

…Në mbyllje, lexuesi ynë mund të pyesë: Po librin tjetër poetik, të radhës, kur do ta botojë kjo autore? Shpresojmë që ajo do ta realizojë, së shpejti, edhe këtë dëshirë të bukur, që ka vetë.

I urojmë nga zemra, mësueses e poetes durrsake: Shëndet e mbarësi, arritje në punë dhe krijimtari sa më të frytshme, gëzime e lumturi, për veten dhe familjen!

Tiranë, 2 mars 2019