Shqiptarët e Tuzit me votën referendare vendosin: Tuzi shqiptar
Në Jubileun e Besëlidhjes së Lezhës, e cila shpalli Platformën e Bashkimit Politik dhe Ushtarak të Kombit Shqiptar për çlirimin e Atdheut dhe krijimin e Shtetit Nacional, shqiptarët e Tuzit dhe liderët e tyre politikë kanë vendosur të jetësojnë porosinë e fundit të Gjergj Kastriotit:
“Jini të bashkuar”! Ashtu si thuprat në dorën e Gjinit të vogël, të cilat sëbashku askush nuk mund t’i thyej.
Liderët e partive shqiptare në Mal të Zi me një vendim të lartë patriotizmi ulën flamujt e partive dhe vendosën të ngrenë Flamurin Shqiptar në Tuz, me Aleancën e përbashkët për zgjedhjet vendore që përfaqësohet me nr 5.
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” përshëndet dhe e përkrah pa rezerva këtë Besëlidhje të Shenjtë, e cila vjen në Jubileun e pesë ngjarjeve kulmore të Kombit Shqiptar:
2 Marsi 1444 i Besëlidhjes Lezhës; 20 vjetori i bombardimeve të NATO-s mbi makinerinë gjakatare milloshoviçiane; 20 vjetori i çlirimit të Kosovës; 10 vjetori i antarësimit të Shqipërisë në NATO, si dhe Rruga Euro-Atlantike e Maqedonisë dhe zyrtarizimi i Gjuhës Shqipe, e cila u ba e mundur falë kontributit vendimtar të faktorit shqiptar atje.
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar duke evokuar qëndresën heroike shekullore të Shqiptarëve të kësaj Treve për liri, pavarwsi e dinjitet kombëtar ju ban thirrje vëllezërve dhe motrave të Tuzit që të dalin masivisht në votime me moton: “Një votë për Atdheun”, për të qenë përgjithmonë Zot të fatit të tyre në trojet etnike stërgjyshore.
Shqiptarët e Tuzit dhe të Malit të Zi janë mbartës të një historie të lavdishme 2000-vjeçare.
Nën udhëheqjen e Teutës e të Gentit, të Balshajve, të prijësit të tyre Cernejoviç – kunati i Gjergj Kastriotit, pjesëmarrës në Beslidhjen e Lezhës; të Lala Drekalit të Kuvendit të Kuçit – Aleancës Ballkanike kundër Perandorisë Turke; Norës së Kelmendit; të Hodo Sokolit; Baca Kurtit; Çun Mulës; Ali Pashës Gucisë; Jakup Ferrit, të shquar në betejat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga coptimi i traktateve, konferencave antishqiptare të Fuqive të Mëdha në kurriz të trungut të Kombit tonë.
Malsia e Madhe është epiqendra e qëndresës antikomuniste.
Pikërisht në këtë Trevë liridashëse, e cila e mbajti në shekuj të pashuar pishtarin e Lirisë, lindi dhe u rrit Luani i Maleve, Ded Gjon Luli, i cili e ktheu Deçiçin në një Krujë të Dytë, duke shpalosur të lirë madhërisht mbi bedenat e kalasë së Bratilës, pas pesë shekujsh, Flamurin e Aleksandrit të Madh, Pirros, Teutës dhe Gjergj Kastriotit.
Historianët tashmë janë të bindur se Kryengritja e vitit 1911, qëndresa legjendare e trimave të Malsisë së Madhe, është gurëthemeli i Pavarwsisë së Shqipërisë.
Plaku i Vlorës, arkitekti i Nëntorit të Dytë, Ismail Qemali, e ka quajtur Ded Gjon Lulin: ” Pushkë e ngrehur për Shqiptarinë”.
Deklaratën e Ismail Qemalit e sanksionon bukur kanga e Hana Nikëprelës:
“Burrat në male e ruajtën Besën
Djepi i madh përkundi shpresën.
Vjen lavdia e Kastriotit.
Kuqezi Bratilja e Hotit.
Moj Malësi sa të ka hije,
Dallandyshe Pavarësisë”
Ded Gjon Luli u bë refren i patriotizmit kombëtar, siç e ka skalitur populli në vargje:
“Kruja e Dytë Vlora e Parë
Ded Gjon Luli flamurtar”.
Ded Gjon Luli, kërkesës kompromentuese për bashkëpunim të të derguarit të Sulltanit, Bedri Pashës, iu përgjigj: “Nuk jam pasterma me u ter në trinë”, duke refuzuar kështu në këmbim të uljes së armëve një “dhuratë” prej mijëra napolonash të arta.
Po me kaq vendosmëri ky flamurtar i Kombit iu përgjigj flakë për flakë synimeve grabitqare të Knjaz Nikollës. Ai ia përplosi në sy Knjazit të Çetinës fjalët lapidare: -“Gospodar, na nuk luftuam për të nxjerrë jashtë një mbret e për të fut brenda një tjetër. Për këtë Besë po guxove ti prekësh trojet e mia ta kam vu pushkën njëlloj si Sulltanit”
Amaneti i të parëve është i shenjtë për shqiparët dhe te bashkimi qëndron forca janë e vendosmëria e përjetëshme për t’i dalë zot Atdheut.
Ded Gjon Luli u flijua në Altarin e Atdheut sëbashku me familjen e tij për t’u bërë i pavdekshëm e burim frymëzimi për Komandantin e UÇK-së Adem Jashari e familjen e tij, Familjen Haradinaj, familjen Lladrovci e qindra familje shqiptare e mijëra djemë e vajza të Kosovës, por dhe mbarë Kombit Shqiptar që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës.
Përkrah Ded Gjon Lulit luftuan me heroizëm sokoleshat e Malësisë. Populli i ka përjetësuar me vargjet:
“Po luftojnë gratë e malit
Nora e Hotit e Tringa e Smajlit
Po lufton Tringa e Grudës
Flakë për flakë në grykë të pushkës”.
Malësia e Madhe është epiqendra e qëndresës heroike dhe e Kryengritjes Antikomuniste të Kelmendit dhe Malësisë së Madhe nga burri i shquar i Vermoshit, Prek Cali, i cili për kontributin e tij historik në mbrojtje të trojeve të Malësisë së Madhe, të kufirit me Malin e Zi, është cilësuar “Piramida e Atdheut”, ashtu si Isa Boletini: “Robin Hudi shqiptar”.
Shqiptarët e Malit të Zi janë vendosur gjithmonë në kahjen e drejtë të historisë. Ata ishin vendimtar në Pavarësinë e Malit të Zi dhe e ndihmuan me të gjitha mjetet dhe potencialin e tyre çlirimin e Kosovës.
Pikërisht për këtë kontribut të shquar që ata kanë dhanë për Atdheun dhe çështjen kombëtare, sytë e gjithë shqiptarëve në Shqipëri-Kosovë-Maqedoni-Çamëri e Diasporë, me dt. 3 mars 2019, janë të drejtuar nga Tuzi.
Me dt. 3 mars 2019 vëllezërit tanë të bashkuar me zemër, besë, shpirt, me betim solemn para Flamurit dhe Atdheut e kanë në dorë fatin e tyre.
Me dt. 3 mars ripërtërihet Besëlidhja e lashtë, e cila hodhi themelet e lirisë e të Shtetit Komb duke u bërë udhërrefyesja e Shqiptarëve për shekujt që do të vijnë.
Ashtu si në Lezhë, Prizren, Pejë, në Shkup e Junik, ku u vendosën fatet tona, edhe Tuzi do të vendosë përjetësisht për të ardhmen e kësaj Treve heroike të Atdheut, me votën e tyre referendare, për Tuzin Shqiptar.
Shqiptarët e Malit të Zi me votën e tyre, në Historinë e Re, përcaktuan Pavarësinë e Malit të Zi, antarësimin në NATO, asgjësuan Grushtin e Shtetit dhe mundësuan formimin e Qeverisë Malazeze properëndimore.
Shqiptarët e Tuzit në mënyrë plebishitare me dt. 3 Mars 2019 do të vendosin me votën e tyre:
Tuzi Shqiptar.