Për zbardhjen e këtij akti makabër është bërë mjaft gjatë këtyre 30 viteve, që prej vitit 1993, kur dëshmitarë dhe banorë të zonës rrëfyen se ku ishte varri masiv i 22 martirëve. Por nuk mund të themi se po bëhet shumë për institucionet e kujtesës. Ruajtja e kujtimit i shërben shmangies së çfarëdolloj përpjekjeje për rehabilitimin e diktaturës apo, më keq akoma, për rikthimin në krye të institucioneve publike të nomenklaturës komuniste të brezit të parë apo të dytë.
22 intelektualët u pushkatuan me vendimin e një partie e cila e kishte kultin e krimit në filozofinë e vet. Sot ne ballafaqohemi me mungesën e vetëdijes dhe të kujtesës.
Shohim se si përditë riqarkullohen emra xhelatësh në institucionet e drejtësisë e në institucionet e shtetit. Përvjetori i 68-të i martirizimit të 22 intelektualëve, në emrin e terrorit komunist, duhet të na shërbejë si një kambanë alarmi se ç’efekte prodhohen kur vendimet i merr partia, kur parlamentin e pushton partia, kur partia vendos të të gradojë pse je hajdut apo kur partia vendos të të dënojë pse je kundërshtar politik.